Dhjetëra fëmijë me probleme të zemrës janë duke u operuar në QKUK
Lajme

Dhjetëra fëmijë me probleme të zemrës janë duke u operuar në QKUK

Venera Adili/RTK

Mjekët amerikanë dhe italianë po operojnë fëmijët kosovarë që kanë probleme të lindura të zemrës.

Ekip i kardiokirurgëve bashkë me kardiokirurgë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë qëndrimit të tyre njëjavor në Kosovë planifikojnë të kryejnë 31 ndërhyrje, prej tyre 11 operime të hapura dhe 20 ndërhyrje me kateterizmin kardiak.

Dhjetëra fëmijë që kanë probleme të lindura të zemrës janë duke u operuar në QKUK. Intervenimet po kryhen në bazë të një misioni vullnetarë nga ekipi i mjekëve amerikan dhe Italian që në Kosovë erdhën me të gjitha pajisjet dhe stafin e nevojshëm.

Ne jemi të lumtur që kemi mundësi t`u ndihmojmë fëmijëve kosovarë që këtë radhë janë 30 fëmijë. Duhet bërë shumë më tepër që më shumë fëmijë të operohen në të njëjtën kohë, në mënyrë që të kemi sa më shumë fëmijë të shëndoshë.

Numri i fëmijëve që janë operuar është shumë më i vogël se i atyre që presin. Ramush Bejiqi, pediatër-kardiolog, e vlerëson si të rëndësishëm bashkëpunimin që po mundëson shërbime pa kosto për pacientët kosovarë.

Stafi vendor vetëm me disa muaj trajnim mundet me I kry këto raste dhe me një angazhim të mirë të institucioneve do të mund të angazhonin stafin por na duhen edhe kushte më të mira materiale.

Më të lumtur për këto shërbime janë prindërit, fëmijët e të cilëve kanë nevojë për këto intervenime. Ekipet e mjekëve italianë dhe amerikanë vijnë për të disatën herë në Kosovë për të operuar fëmijët kosovarë që kanë keqformime të lindura të zemrës.