Bislimi në takim me Sarrazin: Serbia e bllokoi marrëveshjen për targa
Blerim Halimi / RTKlive
Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka pritur sot emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi Sarrazin mirëseardhje në Kosovë dhe shprehu vlerësim të thellë për bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve tona dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës, duke përfshirë këtu liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Gjatë këtij takimi Bislimi ka thënë se Kosova vazhdon të jetë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel.
Duke folur për raundin e fundit të bisedimeve, ai ka thënë se Kosova ka qenë e përkushtuar të arrihet një marrëveshje permanente për çështjen e targave të veturave, duke i respektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian, por marrëveshja nuk është arritur për shkak të mungesës së vullnetit dhe propozimit konkret nga pala tjetër.
Sipas tij, kjo reflektoi interesimin e Serbisë për të bllokuar arritjen e kësaj marrëveshje dhe respektimin e marrëveshjes së Brukselit të 30 shtatorit.
Në përfundim të takimit, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohje për angazhimin e Sarrazin në Ballkanin Perëndimor dhe rolin e rëndësishëm të shtetit të Gjermanisë.