Veteranët: Kërkojmë respekt, jo mëshirë
Lajme

Veteranët: Kërkojmë respekt, jo mëshirë

Venera Adili / RTK

Shqyrtimi i pagës minimale që përplasi ashpër deputetët e opozitës me ata të pozitës, ku po kundërshtohet mospërfshirja në projektligj e veteranëve të luftës, ka nxitur reagimin edhe të këtyre të fundit.

Ata theksojnë se po kërkojnë veç trajtim të dinjitetshëm e jo mëshirë.

“Gabimi kryesor është bërë se po kategorizohen njerëzit në pagën minimale dhe këto vendime kolektive janë të gabuara dhe merren veç në shtete diktatoriale. Nëse dikush ka gabuar nuk duhet të dënohen të gjithë”, ka theksuar për RTK-në, Ferit Berisha, veteran.

Edhe Adem Bucolli, një tjetër veteran i luftës së fundit në Kosovë po kërkon respekt. “Ky është denigrimi më i madh që po i bëhet vlerave të luftës çlirimtare. Ata që i kemi votuar duhet t'i thirrin mendjes dhe  ky ligj të mos shkojë kështu dhe të përfshihet në ligjin për pagat minimale edhe vlerat e luftës. Ne nuk po kërkojmë mëshirë, por të paktën një respekt”, ka thënë ai.

Ata janë të indinjuar me nivelin e debateve që sipas tyre po e denigrojnë luftën e lavdishme të UÇK-së. “Debatet që i shoh janë denigruese për luftën dhe po frikohem se do të vjen koha që dikush do të thotë se do t'i dërgojnë edhe listat e veteranëve në Gjykatën e Hagës, për të na treguar dikusht tjetër se sa kemi qenë në luftë”, ka shtuar Ferit Berisha.

E për këtë çështje ka reaguar edhe Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Ai ka quajtur të papërgjegjshëm koalicionin qeveritar, pasi sipas tij me këtë projektligj po përpiqen t'i shkëpusin pensionet nga lidhja me pagën minimale. "Veteranët të rrinë gati kurdo që ne i thërrasim në protestë. Sa i përket ndryshimit të ligjit që po përpiqet ta bëjë ky koalicion i papërgjegjshëm qeveritar, ju them veteranëve se nëse rastësisht e bëjnë është vetëm miratimi i leximit të parë, dhe para se ata ta bëjnë leximin e dytë ne duhet që masivisht të dalim e t'i bllokojmë", ka shkruar Klinaku në Facebook.

Ai ka bërë të ditur se janë në kontakte edhe me deputetë të opozitës dhe të mazhorancës për ta penguar siç e ka quajtur “këtë papërgjegjësi të koalicionit qeverisës”, teksa ka thënë se do të shfrytëzohet edhe Gjykata Kushtetuese për t’i konstatuar shkeljet që do të bëhen në këtë çështje.