Interi mposht Cagliarin, kampioni i Italisë vendoset në 90 minutat e fundit
Blerim Halimi / RTKlive
Milani duhet të ketë durim për të festuar edhe 90 minuta. Titulli i kampionit në Serie A do të vendoset në xhiron e fundit, pasi Interi ka shënuar fitore mbrëmjen e sotme në duel me Cagliarin, me rezultat 3:1.
Pas javës së 37-të, Milani kryeson me 83 pikë, derisa Interi e ndjek pas me 81 pikë.
Kësisoj, kuqezinjtë tani kanë nevojë të marrin së paku një pikë në përballjen e fundit me Sassuolon, nëse duan të kurorëzohen me titullin e kampionit. Përndryshe çdo hap fals të tyre mund ta shfrytëzojë Interi, që në ndeshjen e fundit luan në shtëpi kundër Sampdorias.
Golat për zikaltrit në fitoren ndaj Cagliarit i realizuan Mateo Darmian (28’) dhe Lautaro Martinez (51’ e 83’), derisa golin e vetëm për Cagliarin e shënoi Lykogyannis (54’).























