Osmani: Donjeta Sadiku po rikthen rezultatet e gjeneratës së artë
Uran Krasniqi/RTKLive
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka vlerësuar se boksierja, Donjeta Sadiku po rikthen rezultatet e gjeneratës së artë të boksierëve nga Kosova, të cilët prekën majat e suksesit gjatë viteve të 70-ta e të 80-ta.
Sadiku deri tash ka depërtuar deri në gjysmëfinale të Botërorit që po mbahet në Stamboll.
Zëvendësministrja ka komentuar në rrjetin social Facebook për suksesin e Sadikut.
"Donjeta Sadiku është femra e parë në historinë e sukseseve të boksit të Kosovës që siguroi medalje të nivelit botëror. Ajo me këtë arritje po rikthen rezultatet e gjeneratës së artë të boksierëve nga Kosova, të cilët prekën majat e suksesit gjatë viteve të 70-ta e të 80-ta. Përderisa vitin e kaluar Kosovës iu ndalua padrejtësisht pjesëmarrja në kampionatin botëror të boksit për meshkuj nga ana e Serbisë në Beograd, suksesi i Donjetës është përgjigjja më e mirë për të dëshmuar tek komuniteti ndërkombëtar se sportistët tanë janë pjesë e elitës botërore. Storja e Donjetës e cila mbërthen në vete shumë sakrifica dhe përkushtim do të mbetet pjesë e historisë tonë dhe motiv për sportistët e tjerë. Bravo Donjeta", ka shkruar ajo. "Sukseset më të mëdha në ndeshjen e së nesërmes".























