KOSTT  për tarifat: Po rrezikohet siguria e operimit të sistemit
Lajme

KOSTT  për tarifat: Po rrezikohet siguria e operimit të sistemit

F.Sertolli / RTKlive.com

Përmes një komunikate për medie KOSTT ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Në këtë komunikatë thuhet se një gjë e tillë e rrezikon sigurinë e operimit të sistemit, marrëveshjet e tjera me institucionet ndërkombëtare si dhe arritjet në pavarësimin e operimit të Sistemit Elektro-energjetik të Kosovës.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike është pasojë e krizës globale të energjisë dhe ka prekur të gjitha vendet Evropiane, andaj është i domosdoshëm reflektimi i kësaj kosto-je në të hyra shtesë”, thuhet në komunikatë.

Tutje vazhdon komunikata që sipas KOSTT –it si rrjedhojë e çmimeve enorme të importit të rrymës dhe të hyrave jo adekuate për mbulimin e kostove, janë shkaktuar devijime të theksuara ndaj Sistemit Elektroenergjetik të Evropës kontinentale të cilat kanë kosto, si dhe janë shkaktuar borxhe të ndërsjella në mes të kompanive në sektorin e energjisë.

“Devijimet e mëdha ndaj sistemit interkonektiv nuk janë në përputhje me Marrëveshjen e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E dhe paraqesin obligime financiare shtesë për KOSTT-in si zonë e pavarur rregulluese”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu sipas komunikatës KOSTT ngre zërin për pamundësinë e mbulimit të kostove të shkaktuara dhe atyre që pritet të ndodhin nëse nuk ndërmerren masa urgjente për të adresuar çështjen e kostove të sektorit qoftë përmes rritjes se tarifave apo subvencionimit.

“Nëse nuk ndodhin këto veprime atëherë do të rrezikohet siguria e furnizimit me energji elektrike në vend, do të aplikohet masa për reduktimin e konsumit si dhe rrezikohet seriozisht Marrëveshja e Kyçjes KOSTT/ENTSO-E”, përfundon komunikata.


APR