Mahmuti: Populli i Kosovës nuk i dënon bijtë e vet
Lajme

Mahmuti: Populli i Kosovës nuk i dënon bijtë e vet

Blerim Halimi / RTKlive

(E plotësuar: 22:15) Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti ka thënë në `RTK Prime` se vendimi për t`i dënuar Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn me nga 4 vjet e gjysmë burg dëshmon se Dhomat e Specializuara në Hagë nuk u krijuan siç pretendonte dikush për ta pastruar UÇK-në nga akuzat e rrejshme. Ai po ashtu ka thënë se ata që sakrifikuan në momentet më të vështira të Kosovës nuk mund të dënohen në emër të popullit.

“Në vendet demokratike dënohesh në emër të ligjit jo në emër të popullit. Kjo i ngjallë krejt ato procese gjyqësore të montuara nga Serbia kur në emër të popullit janë dënuar edhe Nasim Haradinaj edhe Agron Haradinaj e edhe babai i tyre Smajl Haradinaj e mijëra shqiptarë të tjerë. Në krejt atë proces që kemi parë dje vetëm një gjë ka munguar për t’u bërë pasqyra e plotë si në të kaluarën. Është dashtë të shqiptohet ai vendim në emër të popullit në gjuhën serbe sepse në emër të popullit shqiptar të Kosovës ata dy udhëheqës të shoqatës së veteranëve së UÇK-së as nuk do të ishin arrestuar”, ka theksuar Mahmuti.

Sipas tij dje Gjykata Speciale është dashur t’i kërkojë falje Nasim Haradinajt e Hysni Gucatit që i ka ndarë që 20 muaj nga familjet e tyre.  

“Ata do duhej të ishin kthyer në gjirin familjar, në gjirin shoqëror dhe ky popull do t’i kishte pritur krahëhapur. Populli shqiptar i Kosovës nuk i dënon bijtë e vet. Nuk i dënon ata njerëz që kanë sakrifikuar në momentet më të vështira të popullit tonë. Ajo gjykatë mbi dosjet e sajuara të Serbisë përgatit akuzat edhe kundër udhëheqësve tjerë. Dy liderët e shoqatës së veteranëve të UÇK-së nuk kanë bërë asnjë krim. Ata kanë njoftuar opinionin publik për dokumente që kanë dalë nga këto Dhoma të Specializuara. Kush i ka nxjerrë nga atje? I kanë nxjerrë pikërisht njerëz gjyqtarë, prokurorë që kanë punuar në ato Dhoma të Specializuara dhe që kanë parë se nuk ka asgjë të vërtetë dhe se janë dosje të sajuara nga Serbia dhe ua kanë dhënë që të shpërndahet këtu një e vërtetë se janë duke u përgatit procese gjyqësore kundër njerëzve të pafajshëm”, ka shtuar Mahmuti.

Ai tutje ka thënë se diplomacia kosovare është dashur ta shfrytëzojë si moment deklaratën e fundit të Dick Martyt, ku në një intervistë për televizionin zviceran ka bërë të ditur se është i kërcënuar me jetë nga shërbimet sekrete serbe.

“Serbia ka vrarë fëmijë serb e malazez për t’ua veshur krimin shqiptarëve. Serbia e ka përgatit terrenin që kur ta vrasë Dick Martyn e gjithë bota të mendoj se e kanë bërë shqiptarët. Kjo do të kishte qenë një goditje jashtëzakonisht e madhe kundër nesh, prandaj diplomacia jonë duhet ta shfrytëzojë këtë moment”, ka nënvizuar Mahmuti.  

Mahmuti: Duhet konsensus për padinë ndaj Serbisë për gjenocid

(E plotësuar: ora 20:55) Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, Bardhyl Mahmuti ka thënë se opinioni publik në Kosovë çuditërisht është ballafaquar me një pseudoproblem në çështjen e padisë për gjenocid të Serbisë, duke e ndërlidhur atë me rastin e padive të Bosnje e Hercegovinës dhe Kroacisë. 

Sipas tij ato raste nuk mund të ndërlidhen me rastin e Kosovës. Mahmuti ka thënë në intervistë me Bashkim Vishajn në “RTK Prime” se në Kosovë duhet të ketë një konsenzus sa i përket padisë kundër Serbisë për gjenocid.   

“Nëse e marrim ta lexojmë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë edhe Bosnja edhe Kroacia është dashur ta dëshmojnë se Serbia ka qenë e përfshirë të drejtpërdrejt në këto krime. Aty pranohet se ka qenë e përfshirë indirekt, por nuk janë ofruar dëshmi konkrete që ka qenë e përfshirë direkt. Në Kosovë kjo gjë është tërësisht e qartë sepse nuk kemi konflikt ndëretnik por është një aparat shtetëror që me tërë arsenalin e tij të dhunës që ka kryer gjenocid mbi shqiptarët. Dhe këtu nuk duhet t’i ngatërrojmë gjërat sepse ajo çka ka ndodhur në Srebrenicë janë dënuar kriminelët Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq, por dëshmitë që shteti serb ka qenë drejtpërdrejt kanë qenë të pamjaftueshme për ta mbajtur Serbinë përgjegjëse në gjenocid”, ka thënë Mahmuti në “RTK Prime”

Sipas tij një gabim tjetër që bëhet në Kosovë është se përmenden numrat e qindra masakrave. “Me normat juridike të Drejtës Penale Ndërkombëtare në kuadër të drejtësisë ndërkombëtare është e përkufizuar në mënyrë të qartë se edhe në një rast të vetëm nëse kemi një vrasje apo më shumë vrasje të një pjesëtari të një grupi etnik, nacional, fetar nëse qëllimi ka qenë që ky grup të shkatërrohet tërësisht është një akt gjenocidal. Me normat ndërkombëtare edhe spastrimi etnik kualifikohet si gjenocid, e këtu kemi prova të pakontestueshme sepse Maqedonia, Shqipëria dhe Mali Zi mund të dëshmojnë për gjithë ata njerëz që janë depërtuar”, ka shtuar ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së.

Ai ka thënë se dëshmitë për gjenocid janë aq të fuqishme por nuk duhet të krijohen konfuzione me normat ndërkombëtare.

“Dëgjoj njerëz jo kompetent që fatkeqësisht vënë në dyshim se si përkufizohet gjenocidi. Është turp që një intelektual shqiptar nuk i lexon normat juridike të drejtës penale të drejtës ndërkombëtare dhe vjen spekulon dhe hap huti në masë e që i shkon në interes vetëm Serbisë, por jo Kosovës”, ka nënvizuar Mahmuti.

Sipas tij në Kosovë duhet njëzëri të thuhet se këtu ka ndodhur gjenocid dhe të ndalen pseudodefinicionet e paqëndrueshme që janë në kundërshtim me normat ndërkombëtare.

“Ato norma janë në favorin tonë dhe si të tilla duhet të shfrytëzohet në interes të shqiptarëve. Ne duhet ta bindim edhe botën se këtu është bërë gjenocidi. Në mënyrë që kur të bëhet padia të fitojmë atë. Dosjet duhet të përgatiten në detaje, e paralelisht në rrafshin diplomatik të mos mbetet asnjë njeri pa u informuar me atë çka ka ndodhur. Është një punë e mundimshme por është e rëndësishme që të ketë një konsenzus në lidhje me këtë çështje”, është shprehur Mahmuti.

Mahmuti: Masakra në burgun e Dubravës ishte e orkestruar nga shteti serb

(E plotësuar: ora 20:15) Ish-përfaqësuesi politik i UÇK-së, veprimtari dhe publicisti Bardhyl Mahmuti ka thënë se masakra e kryer para 23 vjetëve në burgun e Dubravës ndaj të burgosurve shqiptarë është kryer nga forcat serbe.

Ai në intervistën e dhënë në “RTK Prime” ka thënë se në romanin e tij të sapo publikuar "Eskadronët e vdekjes" e dëshmon qartazi nëpërmjet dëshmitarëve të mbijetuar të kësaj masakre se ishte ushtria dhe policia serbe që kreu gjenocidin në Dubravë.

“Si një nga personazhet shqiptar të romanit dhe jo i vetmi është Sadik Zeqiri, i cili para luftës ka qenë gazetar dhe sot është redaktor i Epokës së Re, e që ka qenë njëri nga ata pjesëmarrës aktiv të asaj tragjedie që ka ndodhur në Dubravë. Po ashtu aty janë rrëfimet e disa dëshmitarëve të tjerë që fatmirësisht kanë shpëtuar nga ai akt gjenocidal që ka masakruar njerëzit e burgosur të paarmatosur. Për dallim nga propaganda serbe se gjoja më 19 maj 1999 NATO godet burgun e Dubravës dhe se aty vriten dhe plagosen të burgosur shqiptar, unë nëpërmjet këtij romani me prova të pakontestueshme kam dëshmuar se NATO nuk e ka sulmuar burgun e Dubravës, përkundrazi janë sulmuar objektet shoqëruese jashtë burgut të Dubravës, ku kanë qenë të përqendruara forcat ushtarake dhe policore serbe”, ka theksuar Mahmuti në RTK.

Ai ka thënë se për këtë si dëshmi janë edhe video incizimet, ku Pentagoni me video konkrete dëshmon qartë se si raketat me laser godasin dy objekte jashtë mureve të burgut.

Ai ka sqaruar se gjithçka rreth masakrës në burgun e Dubravës ka qenë e orkestruar nga forcat serbe. “Në atë moment kur aviacioni jugosllav godiste civilët shqiptarë, konkretisht edhe burgun e Dubravës, duke filluar nga data 19 maj, në Beograd, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në atë kohë mbante konferencë për media dhe fajësonte NATO-n për bombardimin e burgut të Dubravës. E krahas propagandës përmes konferencave të shtypit ishte përgatit edhe ekipi i gazetarëve që në atë moment kur ka sulmuar aviacioni ushtarak jugosllav,  të depërtojë brenda të burgosurve dhe t’i intervistojnë ata dhe t’iu thotë shikoni se çfarë ju bëri NATO”, ka shtuar Mahmuti.

Kjo sipas tij është bërë për t’u krijuar një perceptim i gabuar te dëshmitarët kinse ishte NATO ajo që po e sulmonte burgun e Dubravës.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa