Nga sot, FSK edhe me 257 ushtarë më shumë
Foto: Donika Sherifi/RTK
Lajme

Nga sot, FSK edhe me 257 ushtarë më shumë

Emine Hoti/RTKlive

Presidentja Vjosa Osmani tha se ushtria e Kosovës, po i shton radhët me vajza e djem dhe po jetësohet ëndrra e brezave të tërë që përveç shtetit, donin ta kishin  edhe ushtrinë, e cila është në funksion të mbrojtjes se vendit, e në funksion në mbrojtjes së integritetit territorial në çdo cep të Kosovës.

Ajo tha se sikurse vajzat e djemtë e UÇK-së, që mbajtën mbi supe idealin e lirisë, tani FSK-ja e mbanë idealin për mbrojtjen e integritetit territorial.

Sipas saj, rritja e FSK-së është garanci për Kosovën.

Në ceremoninë e betimit të kadetëve të rinj të FSK-së, të mbajtur kazermën e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, presidentja ka folur edhe për agresionin rus ndaj Ukrainës.

"Agresioni i Rusisë këto ditë po tregon se gjithmonë do të gjinden forca që duan ta shkatërrojnë paqen dhe lirinë. Ne e kemi provuar të njëjtën gjë", tha ajo.

Presidentja e Kosovës tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri dhe se po punojnë në përgatitjen më të mirë të ushtrisë së Kosovës.

“Objektivi i Kosovës është NATO dhe Bashkim Evropian.FSK çdo ditë e më tepër po shndërrohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s”, tha ajo.

Kurse ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Kosova nuk do të mund të ishte këtu ku është tani.

Ai tha se komandant i përjetshëm i ushtrisë së Kosovës është Komandanti Legjendar, Adem Jashari.

“Nga sot vendi ynë ka 257 ushtarë më shumë, 257 ushtarë të lirisë e përgjegjësitë tuaja nga sot do të shtohen edhe më shumë. Të jesh ushtar i Kosovës është përgjegjësi e madhe, por edhe nder e krenari", tha ministri Mehaj.

"Kur shikojmë nga kemi ardhur e shohim UÇK-në, kur shikojmë ku duam të jemi e shohim NATO-n. Ne jemi bijë e bija të Kosovës, luftëtarë e heronj. Lirinë e atdheun e duam më shumë se vetveten, prandaj i shërbejmë tërë jetën atdheut".

Ndërsa Komandantja e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Irfete Spahiu, tha se 257 rekrutë për nëntë javë u bënë ballë sfidave nga me të ndryshmet për të arritur në këtë ditë të rëndësishme.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa