Vrasja e policit në komisariat, deklarohet Policia e Shtetit (E plotësuar)
RTSH
Policia e Shtetit del me informacion zyrtar për vrasjen në komisariat.
Policia e Shtetit shqiptar ka dalë me një deklaratë zyrtare për shtyp për ngjarjen e rëndë sonte në komisariatin numër 3 në Tiranë, ku efektivi i policisë Ludian Zaimi qëlloi me armë zjarri kolegun e tij Çaush Saliasi, i cili për pasojë ndërroi jetë në spital.
Në njoftimin e policisë mësohet se grupi hetimor i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore ka shkuar në vendngjarje për zbardhjen e dinamikës, ndërkohë që autori i dyshuar është ndaluar.
Në ambientet e komisariatit kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.
(Ora: 22:50)
Në Tiranë, polici vret kolegun brenda stacionit policor
Ka përfunduar në mënyrë tragjike një konflikt mes dy policëve në Komisariatit 3 të policisë në kryeqytet, ku për pasojë njëri prej tyre ka mbetur i vrarë me armën zjarri nga kolegu i tij.
Polici me inicialet Ç. S u dërgua në gjendje të rëndë fillimisht në spital, por ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Autori i plagosjes, polici me inicialet L. Z është prangosur ndërkohë nga ana e uniformave blu. Policia, nëpërmjet një deklarate për shtyp, shprehet se janë ende të paqarta rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
“Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën "Mine Peza", në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z., ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S., të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme.Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S. ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për media.”, thekson Policia.