Austria mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën
Foto: Karoline Edtstadler/Twitter
Lajme

Austria mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Jeton Musliu / RTKlive

Kosovës i vjen edhe një përkrahje për liberalizimin e vizave. Këtë herë është ministrja për Evropën dhe Kushtetutën e Austrisë, Karoline Edtstadler, ajo që e ka bërë të ditur qëndrimin e shtetit të saj, përkitazi me këtë çështje.

Në një deklarim në Twitter, Edtstadler tha se  është koha që përfundimisht të liberalizohen vizat për Kosovën.

Madje sipas saj, Kosova ka përmbushur  95 kriteret e kërkuara nga BE-ja.

Një deklarim të tillë ajo e bëri pas takimit me ministren e Punëve të Jashtme e Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla.

“Kosova është vendi i fundit në Ballkan të cilës i kërkohen vizat”, tha ajo.

“Kosova ka përmbushur 95 kriteret për liberalizim të vizave, dhe Parlamenti Evropian vazhdimisht është deklaruar në favor të liberalizimit të vizave”, u shpreh Edtstadler.

“Është koha përfundimtare që të realizohet liberalizimi i vizave për Kosovën”.

Ndër të tjera, ajo foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

 “Një bashkëbisedim i mirë me zëvendëskryeministren e Kosovës, Donika Gërvalla”, shkroi ministrja austriake.

“Dialogu Prishtinë-Beograd është kyç jo vetëm për stabilitetin e rajonit por edhe për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

Ajo tha se shpreson për përparim të shpejtë në çështjet me rëndësi praktike për qytetarët në të dy shtetet, në mënyrë që të ndërtohet besimi reciprok.

Aktualisht, ministrja gërvalla po qëndron në disa vende të BE-së, në përpjekje për të ndryshuar qëndrim të vendeve skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

 

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa