Dy policë të lënduar pas përplasjes me tifozët holandezë në Tiranë
Sport

Dy policë të lënduar pas përplasjes me tifozët holandezë në Tiranë

rtsh

Një tjetër incident është shënuar nga tifozët e skuadrës së Feyenoord, ku pas plagosjes së një 45-vjeçari shqiptar, këtë herë disa prej tyre janë konfliktuar me policinë, ku dy efektivë kanë mbetur të plagosur.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “ Mustafa Matohiti” ku tifozët holandezë i ishin drejtuar stadiumit “Air Albania” ku ndodheshin tifozët e Romës, por u ndaluan nga policia. Kjo ka bërë që tifozët e dehur të nisin konfliktin me efektivët.

Gjithashtu edhe në hyrje të rrugës së Drejtorisë së Policisë në Tiranë, disa huliganë holandezë kanë sulmuar dhe dëmtar një makinë policie.

Policia ka shoqëruar disa nga tifozët problematikë për këto ngjarje.

Makina e dëmtuar e policisë

Me mijëra tifozë të Feyenoord dhe të Romës kanë ardhur në Tiranë për të parë finalen e Conference League, por duket se holandezët nuk janë aspak të qetë në shijimin e tifozerisë së tyre, ku nuk kanë munguar incidentet e tyre në gjendje të dehur. 

Gjatë sherreve holandezët kanë përdorur shkopinj dhe gurë për të gjuajtur, ndërsa kanë shkulur edhe pllakat e trotuareve.

Ndërkohë që për mbarëvajtjen e situatës në Tiranë për shkak të fluksit të lartë të tifozëve që kanë ardhur dhe priten të vijnë nesër, efektivë dhe forcat e FNSH janë të angazhuara në terren për ruajtjen  e rendit dhe sigurisë.


APR
Romay Lift