Kurti pjesë e panelit diskutues në Forumin Ekonomik Botëror
Naser Mekolli /RTKlive.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte pjesë e panelit diskutues me temën “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor” në Forumin Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos/Klosters.
“Krahas kryeministrit Kurti, në këtë sesion, diskutuan edhe: Andrej Plenkoviq, Kryeministër i Kroacisë, Dritan Abazoviq, Kryeministër i Malit të Zi, Alexander Schallenberg, Ministër Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Stevo Pendarovski, President i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Vuçiq, President i Serbisë, Zoran Tegeltija, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Miroslav Lajčák, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Dialogun dhe Odile Françoise Renaud-Basso nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh)”, njofton zyra për informim e kryeministrit.
Diskutimi në panel u kryesua nga Børge Brende, President i Forumit Ekonomik Botëror, ndërsa u prezantua nga Mirek Dusek, Zëvendës Drejtor i Qendrës për Çështje Gjeopolitike dhe Rajonale, njëherit Anëtar i ExCom, Forumi Ekonomik Botëror.
Në diskutim u tha se ky sesion që ofroi mundësi për dialog me shumë palë mbi Ballkanin Perëndimor, ka për synim të ndihmojë nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e partneriteteve të reja ndërkombëtare.
Forumi Ekonomik Botëror (WEF), i njohur edhe si Samiti i Davosit, filloi punimet më 23 maj në qytezën Davos të Zvicrës, pas një pauze 2-vjeçare për shkak të epidemisë së llojit të ri të koronavirusit (Covid-19).
Në forum pritet të marrinë pjesë 50 liderë shtetesh, 300 përfaqësues të qeverive dhe rreth 2.500 zyrtarë të biznesit global.
Në kuadër të samitit, më datat 23-26 maj do të mbahet edhe një event tjetër me titullin “Forumi i Hapur” që do të jetë i hapur për publikun.
























