Hoti thirrje Kurtit për ratifikim të disa marrëveshjeve me Izraelin
Jeton Musliu / RTKlive
Në cilësinë e kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, deputeti Avdullah Hoti, dikur kryeministër i Kosovës, i ka dërguar një kërkesë kryeministrit Albin Kurti.
Në letrën e publikuar nga vetë Hoti, i kërkon kryeministrit që të iniciojë dhe të sjellë në Kuvend për ratifikim, disa marrëveshje ndërshtetërore mes Kosovës dhe Izraelit.
Ish kryeministri Hoti, në letrën e dërguar, rikujton se njohja e Kosovës nga Izraeli ndodhi pas nënshkrimit të marrëveshjes së 4 shtatorit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, nga ana e tij si shef i ekzekutivit të Kosovës.
“Në cilësinë e kryetarit të Grupit të Miqësisë Kosovë-Izrael, dërgova kërkesën për përkrahjen, inicimin dhe sjelljen në Kuvendin e Republikës së Kosovës për ratifikim të disa marrëveshjeve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Izraelit”, ka shkruar Hoti.
Katër kërkesat e Hotit ndaj kryeministrit kurti janë që negocimi dhe ratifikimi i marrëveshjes për tregti të lirë, eliminimin e tatimit të dyfishtë Kosovë-Izrael, lëvizjen pa viza të qytetarëve të të dyja vendeve dhe atë për punësim sezonal të kosovarëve në Izrael.