Finalja Drita-Llapi, të dyja kampet shfaqen optimistë për sukses
Sport

Finalja Drita-Llapi, të dyja kampet shfaqen optimistë për sukses

Blerim Halimi / RTKlive

Drita dhe Llapi do të ballafaqohen të enjten në finalen e Kupës së Kosovës në futboll. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:00. Interesimi i tifozëve për këtë duel është i madh, teksa FFK ka njoftuar më herët se e ka filluar shitjen e biletave nëpërmjet platformës online.

Një ditë para kësaj përballje në konferenca të ndara për media të organizuara në selinë e FFK-së janë paraqitur të dyja kampet. Trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu dhe kapiteni Ardian Limani, kanë thënë se janë gati për finalen e së enjtes.

“Kam besim te skuadra ime. Gjithçka që kemi përgatitur për këtë ndeshje do ta shfaqim në fushën e lojës. Do të përballemi me një skuadër të fortë, por do të mundohemi t’i shfrytëzojmë pikat e dobëta të saj”, ka thënë Nuhiu, skuadra e të cilit ka vite që nuk e ka fituar këtë trofe.

“Llapi është skuadra që ka shënuar më së tepërmi në këtë edicion dhe kanë sulm të rrezikshëm. Por edhe ne kemi shënuar mjaft. Kjo ndeshje do përqendrim dhe besim maksimal, sepse është vetëm një ndeshje. Jemi të përgatitur për gjithçka, qoftë vazhdimet apo penalltitë. Duam ta shkruajmë historinë, për tifozët tanë Intelektualët, për stafin dhe për të gjithë ata që na mbështesin”, ka shtuar Nuhiu.

Ndërkaq, kapiteni i skuadrës Ardian Limani tha se çdo trofe është i rëndësishëm dhe do të jetë privilegj nëse arrin ta ngritë këtë kupë. “Kjo është finalja e parë për mua dhe pa dyshim se nëse fitojmë do të jetë trofe i veçantë. Kemi marrë të gjitha masat për të parandaluar pikat e forta të Llapit, por gjithashtu ata kanë edhe pikat e dobëta, në të cilat do të sulmojmë. Mendoj se jemi të gatshëm 100% për t’u përballur me ta. Përvoja është në anën tonë dhe kohët e fundit kemi fituar trofe dhe e kemi obligim ta menaxhojmë stresin e lojës dhe duhet t’i shpërblejmë tifozët tanë me trofe sepse ata e meritojnë këtë për shkak të përkrahjes së madhe që na e kanë dhënë gjatë gjithë sezonit”, ka thënë Limani.

Në anën tjetër, trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është shprehur optimist se skuadra e tij do të arrijë ta mbajë trofeun në Podujevë, të cilin e kishte fituar për herë të parë në edicionin e kaluar.

“Gjithmonë e arrin objektivin kur arrin në finale, pastaj aty loja mund të prodhojë gjithçka. Grupi është jashtëzakonisht në formën e duhur dhe kemi kontingjent të lojtarëve shumë cilësor. Një grup i bashkuar me nivelin më të lart që ka arrit të jetë në finale. Ne kemi ardhur në finale me plot meritë duke mposhtur skuadrat më të forta dhe do ta bëjmë maksimumin që nesër në ndeshje të paraqitemi në formën më të mirë të mundur”, tha Batatina. Ai ka thënë se objektivi i Llapit ka qenë që të arrihet Evropa dhe tani kur është arritur ky objektiv synon që mos ta mbylll edicionin pa trofe.

Edhe portieri llapjan Ilir Avdyli është shprehur optimist, teksa ka theksuar se ngarkesa psiqike është tek kundërshtari, pasi nuk e ka fituar moti këtë trofe. “Finalet janë ndeshje mjaft të vështira si për portier si për çdo lojtar. Puna e portierit është pak më e ndjeshme. Duhet ta menaxhojmë lojën si duhet, presioni është në anën e Dritës sepse nuk e kanë këtë trofe në dy dekada, derisa ne e kemi në sirtar”, ka thënë Avdyli.

Finalja ndërmjet Dritës dhe Llapit luahet të enjten në “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:00.

 


APR
Romay Lift