5,6 milionë euro për rikonstruksionin e Infektivit në QSUT
BKT
Foto: Denion Ndrenika
Shqipëri

5,6 milionë euro për rikonstruksionin e Infektivit në QSUT

Denion Ndrenika/RTK

Qeveria e Shqipërisë ndau 5,6 milionë euro për rikonstruksionin e spitali Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare për ta plotësuar me të paktën 118 shtrerër të pacientëve.

Spitali i Sëmundjeve Infektive u bë simbol i përballimit të pandemisë së Koronavirusit dhe tash investimi synon ta shndërrojë në qendër të plotë reference kombëtare.

Investimi përfshin edhe rehabilitimin e plotë dhe zgjerimin dyfish të kapaciteteve të terapisë intensive nga 4 në 8 shtretër si dhe shtim në repartin e urgjencës.

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu inspektuan punimet në kantier, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

Zoti Rama tha se projektet për Korpusin dhe investimet janë përmbyllur dhe tash mbetet vetëm zbatimi.

“Rëndësi ka që tani i kemi të mbyllura projektet dhe financimet për ta mbyllur gjithë korpusin dhe më në fund do jetë i gjithi një. Duhet vetëm të shikojmë rrugën e re që ndan korpusin nga lagja dhe lëvizjet e tjera që të jetë i gjithi i mbyllur, e gjithë sistemin e sigurisë dhe lëvizshmërisë së garantuar dhe besoj që nuk do ketë më gjëra të reja për të bërë, vetëm mirëmbajtje dhe rritje kapacitetesh që nuk mbaron kurrë. Do bëjmë dhe ndërhyrje tek fakulteti i mjekësisë, sepse është realisht problem. Tani do rrisim dhe rrogat. Duam ta rrisim deri në 40% dhe e kemi planifikuar këtë gjë”-tha kryeministri.

Ministrja Manastirliu tha se projekti rehabilitues i nisur në muajin mars, parashikon rinovim tërësor rikompizim të mjediseve si pjesë e planit për përballimin e emergjencave, për sëmundjet infektive si dhe zgjerimin e kapaciteteve për QSUT-në.

Zonja Manastirliu theksoi se organizim do të ketë në urgjencën e spitalit me imazheri të dedikuar dhe në të gjithë strukturat e pavioneve me dhoma me presion negative.

Kjo do të thotë mundësi që kapacitetet e munguara në raport me ajrin, presionin negativ shumë të nevojshëm për pacientët me sëmundje infektive, të jenë në 80% të kapaciteteve të shtretërve.

Po ashtu do të vijojnë më pas punimet në spitalin e Sëmundjeve të Brendshme, në pediatri dhe rehabilitimin e kardiokirurgjisë dhe djegie-plastikës.


MË SHUME NGA Shqipëri