Shqipëria miraton protokollet e pranimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO
BKT
Foto: Kryeministria.al
Shqipëri

Shqipëria miraton protokollet e pranimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO

Denion Ndrenika/RTK

Këshilli i Ministrave dha zyrtarisht miratimin në parim të Shqipërisë për pranimin e Suedisë dhe të Finlandës në NATO, si dy vende gjithashtu me kapacitete të vlerësueshme ushtarake.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka pas mbledhjes së qeverisë paradite theksoi se Shqipëria mbështet politikën e "Dyerve të hapura" dhe se Suedia dhe Finlanda janë partnere me rëndësi, raporton korrespondenti i RTK-së.

Zonja Xhaçka theksoi se ky hap forcon sigurinë euroantlantike veçanërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia është me shumë rëndësi për ardhmërinë në NATO të vendeve ballkanike dhe Kosovës:

“Kemi dhënë zyrtarisht dakordësinë për përfshirjen në të të këtyre vendeve, për Finlandën dhe për Suedinë. Ky moment strategjik do të japë, shpresojmë, zgjerimin e Aleancës në rajonin e Ballkanit Perëndimor sidomos rastin e Kosovës, me të cilën Aleanca e NATO-s ndan vlera dhe parime”.

Ministrja Xhaçka shtoi se fakti që Finlanda dhe Suedia duan anëtarësim në NATO, flet qartë për nivelin e kërcënimit, me të cilin përballet sot Evropa

"Ky zhvillim forcon sigurinë në hapësirën euro-atlantike dhe vetë bashkëpunimin NATO-BE. Është një zhvillim që vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo tregon edhe besimin që gëzon NATO, në garantimin e sigurisë kolektive të çdo vendi anëtar"-tha ajo.

Sakaq, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se armatosja e Shqipërisë me raketat "Javelin" nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë i planifikuar përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën dhe se Shqipëria nuk ka kërcënime.


MË SHUME NGA Shqipëri