Tifo-grupi “Dardanët”: Duam kualifikimin në EURO 2024
Sport

Tifo-grupi “Dardanët”: Duam kualifikimin në EURO 2024

Fatmir Bytyqi /RTKlive

Pak ditë para ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës në Ligën e Kombeve, tifozët e Kombëtares sonë, vijnë më një mesazh.

Kosova do të zhvillojë katër ndeshje që nga data 2 qershor deri më 12 qershor, ku dy prej tyre i luan si vendas kundër Greqisë dhe Irlandës Veriore, kurse dy sosh si mysafirë kundër Qipros dhe Greqisë.

Tifo-grupi “Dardanët” kërkojnë nga futbollistët e Kombëtares sonë, angazhim maksimal me objektiv të qartë, kualifikimin në Kampionatin Evropian 2024.

Ky është mesazhi i ‘Dardanëve’:

“Me afrimin e ndeshjeve të kombëtares, fillon të ndjehet atmosfera dardane kudo. Tashmë i vetmi cak që duam nga kombëtarja jonë është sigurimi i kualifikimit në Euro 2024 përmes edicionit të sivjem të Ligës së Kombeve. Çdo cak tjetër është i pamjaftueshëm.

Dardanët do të jenë në përkrahje të plotë të ekipit tonë kombëtar në ndeshjet që do të luhen në qershor. Po ashtu ju njoftojmë se shumë shpejt do të dalin në shitje biletat, kurse ne si tifogrup posedojmë një sasi të tyre, e cila do të shpërndahet përmes koordinatorëve tanë nëpër qytete të ndryshme të vendit ku janë të pozicionuar ata.

Dhe, si përfundim, ju njoftojmë se në dy ndeshjet që do të luhen në stadiumin ”Fadil Vokrri”, ato përballë Greqisë më 5 qershor dhe Irlandës së Veriut më 9 qershor, ne do të rikthehemi te tribunën që na takon, në veri të stadiumit, ku nuk do të mungojnë edhe koreografitë, si dhe atmosfera e ngrohtë si zakonisht.

Të gjithë shkojnë e vijnë, Dardanët do të mbesin përherë lojtari i 12-të, ai besnik i Kosovës. Përpara bijtë e Dardanisë!”, thuhet në postimin e “Dardanëve”.

Kosova aventurën e re në Ligën e Kombeve, do të nis me 2 qershor në udhëtim tek Qipro.

 


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa