Meta: “Vatra”, kontribut në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane
ATSH
Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim, kryetarin e Federatës Panshqiptare “Vatra”, Elmi Berisha dhe mikun e madh të kombit shqiptar, Christopher Hyland, një nga bashkëpunëtorët e afërt të presidentit Clinton.
Meta u shprehu mirënjohjen më të thellë ‘vatranëve’, diasporës dhe miqve të sinqertë të shqiptarëve në SHBA për mbështetjen e Shqipërisë dhe çështjes shqiptare.
“Mirënjohje për zhvillimin e demokracisë në vendin tonë, për kontributin shumë të vyer të dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për angazhimin e palodhur në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, tha ai.
Federata Panshqiptare “Vatra” është një shoqatë e shqiptarëve në Amerikë, e krijuar më 28 prill 1912, e cila ka si mision historik mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të shqiptarëve në SHBA, si edhe ka ndërmarrë përsipër lobimin në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për të drejtat e shqiptarëve anembanë botës.























