Finalja, 7 mijë policë rrethojnë “Stade de France”
Sport

Finalja, 7 mijë policë rrethojnë “Stade de France”

rtsh

Rreth 7,000 policë do të jenë në detyrë në Paris, për të kontrolluar tifozët gjatë finales së Ligës së Kampionëve të shtunën, ku priten deri në 40,000 tifozë të Liverpool-it pa bileta.

Frika nga trazirat që shkaktojnë tifozët anglezë kudo që shkojnë, i ka detyruar autoritetet vendore të Parisit, të marrin masa. Vetëm 20,000 tifozë nga secili klub, Liverpool dhe Real janë zyrtarisht me biletë dhe mund ta shikojnë ndeshjen e shumëpritur në Stade de France. Autoritetet e qytetit të Parisit kanë përgatitur një fan zonë për deri në 45,000 mbështetës të Liverpool-it, në perëndim të Parisit, 10 kilometra larg stadiumit.

"Kjo është një masë për t'u siguruar që gjërat të shkojnë sa më mirë që të munden," shpjegoi nënkryetari i bashkisë së Parisit. Një fan zonë e dytë është në periferinë veriore të Saint Denis, ajo është e rezervuar për tifozët pa bileta të Realit të Madridit. Nuk do të lejohet alkooli në zonën përreth Stade de France, por tifozët do të lejohen të pinë gjatë ndeshjes brenda në stadium. Rruga Champs-Elysees, një nga zonat turistike më të vizituara të Parisit, do të jetë e mbyllur për të dy tifozeritë, gjatë pasdites së ndeshjes.

Gjithashtu nuk do të lejohet alkooli këtë fundjavë në asnjërin nga dy aeroportet kryesore të qytetit, nga ku pritet të vijnë të dy tifozeritë. Këto masa merren nga bashkia e Parisit për të ruajtur rendin dhe sigurinë nga trazirat që mund të shkaktojnë tifozët e secilës skuadër, në momente irritimi apo edhe gëzimi. Sportdashësit e shumtë në Paris, të ardhur nga shumë vende të botës, kanë shijuar edhe momentet e ekspozimit të trofeut të Ligës së Kampioneve, të vendosur në sheshin Victor Hygo, në qendër të Sant Denis.


APR