Muriqi: Nuk është aspak e lehtë të luhen katër ndeshje radhazi
Sport

Muriqi: Nuk është aspak e lehtë të luhen katër ndeshje radhazi

Uran Krasniqi/RTKLive

Sulmuesi i Kosovës Vedat Muriqi ka theksuar se në një fazë të këtillë kur janë mbyllur sezonet në të gjitha kampionatet evropiane nuk është aspak e lehtë të luhen katër ndeshje radhazi me ekipin kombëtar, por është shprehur optimist për nismë të mbarë të ciklit të ri.

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur edhe stërvitjen e pasditës në ditën e parë të grumbullimit për katër ndeshjet e muajit qershor në Ligën e Kombeve.

“Është e vështirë të luash katër ndeshje për 12-13 ditë, dhe kjo bëhet edhe më e vështirë kur kemi parasysh se është fundi i sezonit. Të gjithë futbollistët, jo vetëm te kombëtarja jonë, janë fizikisht dhe mentalisht pak më rëndë. Por, pikësëpari shpresoj të mos kemi ndonjë lëndim dhe në radhë të dytë si gjithmonë forcën tonë kryesore – shpirtin luftarak do ta zbatojmë në fushë. Do t’i tregojmë të gjithëve se këtu në Kosovë nuk është lehtë të marrin pikë. Shpresoj se do të kemi një cikël me rezultate pozitive. Në këtë nivel të futbollit nuk besoj që ka kundërshtar të lehtë. Ndeshjen e parë e luajmë me Qipron dhe nëse ajo ka ardhur në këtë nivel duke e mundur Estoninë i bjen që është ekip i mirë. Na pret një ndeshje jo e lehtë atje, por ne i dimë forcat tona dhe shkojmë për pikët e plota. E dimë që nuk jemi favorit në grup, por me forcat tona që i kemi do të arrijmë aty ky synojmë”, ka theksuar Muriqi ndër të tjera në deklaratën për faqen zyrtare të FFK-së.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa