Analistët: Kosova në `Open Balkan`, jo pa njohje nga Serbia
BKT
Foto: ATA
Lajme

Analistët: Kosova në `Open Balkan`, jo pa njohje nga Serbia

Fadil Sertolli / RTKlive

Analistët politikë vlerësojnë se pjesëmarrja e Kosovës në `Open Balkan`, duhet të bëhet vetëm atëherë kur Serbia e trajton si shtet të barabartë me të tjera shtete. Sipas tyre, edhe përkundër paralajmërimeve nga qeveria e Malit të Zi se do ta shqyrtojnë pjesëmarrjen në `Open Balkan`, Kosova nuk ka nevojë të nxitohet rreth kësaj nisme.

Megjithatë, ata vlerësojnë se edhe Mali i Zi është i ndarë në 'dysh', rreth kësaj çështjeje. Sipas tyre, atje Presidenti Milo Gjukanoviq është kundër, ndërsa kryeministri Dritan Abazoviq është pro kësaj iniciative.

Analisti Politik, Adrian Çollaku thotë se sa i përket “Open Balkan”, Mali i Zi është i ndarë në dy tabore. 

Në njërën anë, siç shprehet ai, kryeministri Dritan Abazoviq thotë se Mali i Zi do të marrë pjesë në këtë nismë rajonale, por në anën tjetër, presidenti i këtij vendi, Milo Gjukanoviq është kundër.

"Pra, dmth as lidershipi i Malit të Zi ende nuk është unik sa i përket 'Open Ballkan-it'", thotë Çollaku për RTKlive. 

Sidoqoftë, ai thekson se Kosova parimisht nuk duhet të jetë kundër iniciativave rajonale, por vetëm me një kusht- njohjen nga Serbia.

"Pa njohjen nga Serbia, Kosova nuk duhet të jetë pjesë e 'Open Balkan'", shprehet Çollaku.

Analisti politik, Dorajet Imeri thotë se Kosova duhet të jetë e vëmendshme karshi iniciativave rajonale. 

Ai thotë se ndryshimet politike që kanë ndodhur në Malin e Zi, mund të kenë ndikime edhe në procesin e 'Open Ballkani-it', ku me gjasë me Dritan Abazoviq në krye të qeverisë, ky shtet do t'i bashkohet kësaj iniciative.

"Ka të ngjarë që ndikimet politike që vijnë nga kryeministri Rama te Abazoviqi, kanë dhënë efekt", thotë Imeri për RTKlive. 

Mirëpo, siç vlerëson ai, ndryshe nga ai, presidenti i vendit, Milo Gjukanoviq, është kundër kësaj iniciative, 'prandaj edhe e ka vizituar Kosovën pak ditë më parë, per t'u rreshtuar kundër'.

"Kjo iniciativë nëse shihet nga perspektiva paraintegruese në BE, është e rëndësishme, por kur palët janë të barabarta, ndërsa për aq kohë sa Serbia e ka këtë qëndrim ndaj Kosovës, kjo iniciativë nuk duhet të përkrahet nga vendi ynë", tha Imeri për RTKlive.

Ndryshe, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq konfirmon se do të marrë pjesë në takimin e radhës së iniciativës “Ballkani i Hapur”, i cili në qershor mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e mbështesin nismën ‘Ballkani i Hapur’.


MË SHUME NGA Lajme