Kryesia e Kuvendit pa kuorum për seancë të re
Valmira Saraçi Sahatçiu/ RTK
Është mbajtur mbledhja e kryesisë së kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend ditë kanë qenë disa pika. Kryesia e Kuvendit nuk ka pasur kuorum për seance të re për këtë javë.
Rrustemi: Për dialogun, Kurti do të raportojë sa herë i kërkohet
(E plotësuar, ora 11:53) Deputeti i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi, tha se para seancës të hënën e ardhshme do të ketë mbledhjen të kryesisë e të caktohet datën për seancën e re.
Kurse për Trustin, ai tha se kësaj çështje i kanë dhënë përgjigje disa herë, përfshirë qeverinë dhe Ministrinë e Financave. “Ne i kemi dhënë përgjigje kësaj teme . Nuk mund të flas për qëndrimin e deputetëve ose jo në sallë, por përgjigje për këtë çështje kemi dhënë”, tha ai.
Ndërkaq për dialogun, Rrustemi bëri me dije se kryeministri do të raportojë sa herë i kërkohet, duke shtuar se Kurti ka dëshmuar që ka raportuar para e pas takimeve.
Tahiri i AAK-së: Trustin nuk do të mund ta trajtojmë këtë javë
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, tha se kjo mbledhje dështoi në mungesë kuorumi.
“Ajo që u pa në këtë takim është se në rend dite fatkeqësisht nuk është Trusti, e nuk do të mund ta trajtojmë këtë javë këtë çështje. Ajo që mund të them në emër të AAK është se kemi ndërmarr një nismë për ndryshimin e plotësimi e Ligjit për Skemat pensionale”, tha ai.
Tahiri kritikon Kurtin për qasjen ndaj dialogut
(E plotësuar, ora 11:47) Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, pas mbledhje së ka folur edhe për dialogun. “Ne e kemi pritur Kurtin të vijë të raportojë. Deri tash kemi parë një papërgjegjësi dhe një arrogancë jo vetëm ndaj opozitës por edhe ndaj qytetarëve, një kryeministër që për javë të tëra qëndron jashtë Kosovës”, tha ai.
Tahiri: VV-ja të reflektojë për tërheqjen e mjeteve të TRUST-it
(E plotësuar, ora 11:40)Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nuk kishte kuorum për seance të re. “Vazhdimi i seancës me pika të mbetura do ta vazhdojmë të hënën e javës tjetër. Pastaj po të hënën do te përcaktojmë në mbledhjen e ardhshme të kryesisë do ta vendosim Trustin pikë të rendit të ditës”, tha ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Sipas tij partitë opozitare dhe një pjesë e deputetëve jo shumicë kanë deklarua që do ta përkrahin një tjetër tërheqje të kursimeve nga Trusti. “Shpresojmë që dhe LVV dhe partnerët të reflektojnë karshi kësaj kërkese qytetare. Nuk duhet të shihet si një betejë politike”, tha ai, raporton RTK.
Fillon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit (E plotësuar)
(E plotësuar, ora 11:17) Ka filluar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën në redn dite janë disa pika, ku përfshihet edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës.
Kryesia e Kuvendit mban mbledhje, në rend dite ligji për TRUST-in (A.Bela / RTKlive, ora 06:10)
Sot me fillim nga 11:00 do të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend dite janë pikat e papërfunduar nga seancat plenare.
Në rend dite është votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb, votimi i mocionit nga debati parlamentar në lidhje me situatën e sigurisë në vend, raporton RTKlive.
Po ashtu në rend dite do të jetë votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga komuniteti shqiptar debat parlamentar për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin e parë të mandatit të saj.
Në rend dite është edhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit për provimin e jurisprudencës, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Pijet e Forta Alkoolike, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve, zgjedhja e pesë zëvendësve të Avokatit të Popullit zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për akcizën në produktet e duhanit, do të jetë në rend dite, sikurse edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për fondet pensionale të Kosovës.























