Dështon edhe raundi 3, tash presidenti zgjidhet me votat e shumicës
BKT
Shqipëri

Dështon edhe raundi 3, tash presidenti zgjidhet me votat e shumicës

Denion Ndrenika/ RTK

Kuvendi në Tiranë dështoi ta zgjidhte presidentin bashkarisht me 3/5 e votave ose 84 deputetëve.

Kësisoj pas tri raundeve që kërkonin 84 vota, presidenti zgjidhet me 1/2 plus 1, pra me 71.

Dështimi pritej pasi opozita demokratike nuk propozoi kandidatë dhe tash socialistët qeverisës e zgjedhin vetëm presidentin.

Taulant Balla kryetar i deputetëve socialistë tha se do të kërkonin gjithëpërfshirje për raundin e ardhshëm.

"Do të vijojmë të diskutojmë me grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë për të siguruar një mbështetje sa më të gjerë. Nuk është e thënë që presidenti edhe në raundi e katërt të zgjidhet me më shumë se 84 vota. Pse të mos synojmë të marrim një kandidaturë përtej 3/5. Fakti që dëshira jonë për dialog është po e njëjtë që në fillim të procesit tregon që gadishmëria jonë është aty për të siguruar mbështetje sa më të gjerë për kandidatin/en për president", tha Balla.

Kryedeputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha se u humb rasti për konsensus.

"Grupi parlamentar ka mbajtur një qëndrim të qartë politik. As nuk nxitoi në një histori emrash dhe as kulisash. Qëndroi i qartë dhe i sinqertë. Do të marrim pjesë edhe për t'i grisur maskën e hipokrizisë së Ramës. Ne bëmë pjesën tonë pala tjetër nuk bëri pjesën e vet. Në raundin e 4 dhe të 5 ka ndryshuar loja. Ideja nuk është për të zgjedhur një president të njëanshëm por mbipalët", tha Alibeaj.

Seanca sipas radhës mbahet 7 ditë pas seancës paraardhëse dhe kohën e cakton nesër Konferenca e Kryetarëve të Kuvendit.


MË SHUME NGA Shqipëri