Meta: Deklarata e Dendias e pavërtetë
BKT
Shqipëri

Meta: Deklarata e Dendias e pavërtetë

ATSH

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, reagoi sot pas deklaratës së ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, se presidenti i Shqipërisë nuk i ka dhënë autorizimin përkatës kryeministrit për çështjen e detit.

“Në datë 23 maj 2022 ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Dendias, ka realizuar një vizitë zyrtare në Shqipëri, duke u takuar me ministren e Punëve të Jashtme dhe me kryeministrin. Sqaroj se nga pala greke apo nga ministria jonë e Jashtme nuk është kërkuar realizimi i asnjë takimi të ministrit Dendias me presidentin e Republikës së Shqipërisë. Pas përmbylljes së vizitës në Tiranë, ministri Dendias në një intervistë të dhënë për shtypin grek ndër të tjera është shprehur gjithashtu se: “… u ra dakord me ne që t’ia referojmë çështjen tonë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk ka ndodhur ende pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës Kryeministrit. Me sa duket, Shqipëria do të zgjedhë një President të ri brenda dy-tre muajve të ardhshëm. Pra, e gjithë kjo do të jetë e realizueshme atëherë.”
Kjo deklaratë e ministrit Dendias është publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Greqisë dhe është bërë publike edhe këtu”, u shpreh Meta në një konferencë për shtyp.

“Sqaroj se ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Ditmir Bushati, përmes kërkesës nr. 2428 prot., datë 13.02.2018, paraqiti pranë Presidentit të Republikës kërkesën për pajisjen e grupit negociator me autorizim për plotëfuqi për nisjen e procesit të negociatave me Republikën e Greqisë për Kufizimin e Zonave të tyre Detare. Presidenti i Republikës, konstatoi një mori problematikash dhe të metash që duheshin ndrequr në paraqitjen e kësaj kërkese. Pas paraqitjes së informacionit shtesë nga Ministri i Jashtëm, Presidenti i Republikës, përmes Aktit nr. 733, datë 19.03.2018, Autorizoi Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë që, sipas kritereve të këtij Autorizimi, të lëshojë Plotfuqinë për Grupin Negociator të Republikës së Shqipërisë për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve”, tha Meta.

“Dëshiroj të theksoj se, grupi negociator i Republikës së Shqipërisë, është pajisur me autorizim për plotëfuqi, për të negociuar vetëm për arritjen e një “Projektmarrëveshje ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”, me qëllim saktësimin e Vijës Delimituese të Kufirit Shtetëror Detar dhe delimitimin e Shelfit Kontinental dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike midis të dy vendeve.
Përpos detyrave të tjera, sipas autorizimit të Presidentit të Republikës, vetëm Grupi Negociator është autoriteti publik i mandatuar për të negociuar me palën greke dhe vetëm përsa është përcaktuar në tragrat e dhëna në këtë Autorizim. Midis dy grupeve negociatore përgjatë periudhës prill-qershor 2018, janë zhvilluar tre raunde të negociatave ( 30 prill, 14-15 maj, dhe 22 qershor 2018). Presidenti i Republikës pasi është informuar mbi mënyrën e zhvillimit të këtyre negociatave, ka konstatuar dhe është vënë në dijeni mbi disa problematika dhe shqetësime serioze”, theksoi Meta.

“Për të diskutuar mbi ecurinë e procesit negociator midis Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit të Shqipërisë, në datën 13 qershor 2018, është realizuar një takim. Në këtë takim u dakordësua që Kryeministri t’i udhëhiqte personalisht negociatat me shtetin grek. Për këtë do të paraqiste një kërkesë të re përpara Presidentit për t’u pajisur me Autorizimin e nevojshëm për t’i drejtuar ai personalisht (Kryeministri) negociatat.
Presidenti i Republikës, duke konstatuar se Kryeministri nuk po i përmbahej zotimeve të ndërmarra, dhe nuk por ndërmerrte asnjë hap në këtë drejtim, me shkresë nr.327/9 prot., datë 21.09.2018, përpos të tjerave, rikërkoi ndërhyrjen e Kryeministrit të vendit pa vonesë, në mënyrë që vijimi i negociatave të udhëhiqej nga niveli më i lartë politik vendimmarrës, pra nga vet Kryeministri, duke marrë drejtimin e këtij procesi, në ushtrim të drejtpërdrejtë të vullnetit politik, në të drejtën që ia njeh Kushtetuta dhe ligjet e vendit.
Sërish nga Kryeministri nuk pati reagim në këtë drejtim. Asnjë kërkesë për autorizim nuk u paraqit”, vijoi Meta.

“Në mungesë të reagimit dhe vullnetit institucional të Kryeministrit për këtë çështje, pra pajisjen me Autorizim për të negociuar, Presidenti i Republikës, duke i qëndruar konstatimeve të mëparshme sërish me shkresë nr. 327/11, datë 20.11.2018, i rikërkoi Kryeministrit ndërhyrjen e tij, në mënyrë që vijimi i negociatave të udhëhiqej nga niveli më i lartë politik vendimmarrës, pra nga vetë Kryeministri, duke marrë drejtimin e këtij procesi. Edhe për këtë kërkesë të Presidentit nuk pati asnjë reagim dhe Kryeministri nuk parashtroi asnjë kërkesë për Autorizim. Nga Kryeministri i cili për periudhën shkurt 2019 – janar 2021 mbajti njëkohësisht dhe detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme nuk është përcjellë asnjë kërkesë për pajisje me autorizim dhe asnjë informacion shterues mbi ecurinë e këtij procesi negociator, apo mbi masat dhe analiza që ai (Kryeministri) ka ndërmarrë mbi kërkesat zyrtare të Presidentit. Ndërkohë që Kryeministri përgjatë gjithë kësaj periudhë që mbante dhe detyrën e Ministrit të Jashtëm, përmes statuseve publike, ka komentuar apo ka dhënë opinione pohuese të tij lidhur me zhvillime ligjore në shtetin grek, për çështje të zgjerimit të ujërave të tyre territoriale. Këto qëndrime të Kryeministrit, janë vlerësuar dhe cituar edhe nga autoritetet më të larta greke”, shtoi Meta.

“Edhe pse kjo çështje paraqet një interes jashtëzakonisht të lartë, Kryeministri/Qeveria jo vetëm me opinionin publik, por dhe me Presidentin e Republikës, nuk ka qenë transparent, dhe asnjë kërkese të Presidentit për informacion nuk i është sjellë një përgjigje shteruese dhe serioze nga ana Kryeministrit dhe ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Ndërkohë që, për Republikën e Shqipërisë, është në fuqi Autorizimi i Presidentit të Republikës Nr. 933, datë 19.03.2018 dhe nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për ndryshimin, plotësimin, shtimin apo kryesimin e tij, edhe pse 3 anëtarë të Grupit Negociator të Shqipërisë janë larguar nga funksionet bazë për shkak të ushtrimit të të cilëve ata u mandatuan për të qenë pjesë e grupit negociator”, theksoi Meta.

“Presidenti i Republikës nuk është në dijeni nëse midis dy qeverive apo kryeministrave është miratuar apo është rënë dakord me ndonjë akt për të ndërprerë, pezulluar apo për të dalë nga negociatat. Megjithëse Shqipëria zyrtarisht është në proces të hapur negociatash me Republikën e Greqisë, Presidenti nuk është informuar zyrtarisht nga Qeveria se me çfarë akti, Qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas të drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje. Në kushte tilla, ligjërisht rezulton se, Kryeministri, apo çdo zyrtar tjetër i Qeverisë nuk është konsultuar, nuk ka kërkuar dhe as nuk është pajisur me ndonjë Autorizim nga Presidenti i Republikës, sipas detyrimit të qartë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/ 2010, për të negociuar apo për të diskutuar me Republikën e Greqisë në emër të Republikës së Shqipërisë, në lidhje me çështjen e kufizimit të zonave detare, e aq më pak për të vendosur apo dakordësuar nëse kjo çështje do të shkojë për alternativë në ndonjë nga Gjykatat Ndërkombëtare, ndërkohë që palët ende zyrtarisht janë në negociata”, shtoi Meta.

Meta u shpreh se, “ajo që ka thënë ministri i Jashtëm i Greqisë që Presidenti nuk i ka dhënë autorizim kryeministrit është tërësisht e pavërtetë. Kjo është e vërteta më e madhe dhe nuk e paragjykoj, përderisa ka takuar vetëm një palë. Është e drejtë e tij t’i referohet asaj pale. Por Presidenti i Republikës është i detyruar, për transparencë në raport me qytetarët e Republikës dhe me institucionet tona, të bëjë të qartë edhe një herë tjetër se nuk ka pasur asnjëherë asnjë kërkesë për autorizim nga kryeministri për këtë çështje”.

Meta tha se, “një nga çështjet për të cilën unë e kam shmangur debatin publik edhe kur jam provokuar në mënyrë të qëllimshme ka qenë kjo temë. Jo për arsyen se ia kursej debatin dikujt dhe gjithkujt, por se tema është shumë e rëndësishme. Është delikate. Ka të bëjë me interesa të mëdha dhe të cilat mund të mbrohen ose mund të dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme. Prandaj edhe kam preferuar gjithmonë të jem sa më konstruktiv si President për këtë çështje. Të jem sa më bashkëpunues. Kam dhënë të gjithë mbështetjen time ministrisë së Jashtme. I kam dhënë mbështetjen time grupit negociator. I kam dhënë mbështetjen time qeverisë. I kam dhënë mbështetjen time kryeministrit. Këto janë të mirëdokumentuara me të gjitha aktet zyrtare dhe komunikimet që ne kemi pasur”.

“Siç e shikoni dhe nga kaq komunikim i rezervuar që unë po zhvilloj sot me ju, është e qartë se institucioni më aktiv për zgjidhjen e kësaj çështje ka qenë Presidenti i Republikës. Institucioni më transparent ka qenë Presidenti i Republikës. Institucioni që ka shprehur mirëkuptimin më të madh ka qenë Presidenti i Republikës”, u shpreh ai.

Meta nënvizoi se, “kjo është një çështje delikate. Megjithatë, Shqipëria ka Kuvendin e saj, i cili në çdo rast do të duhet të mbajë një qëndrim dhe të shprehet. Unë si President i Republikës që nga ky moment, jo se më përpara ka munguar, por që nga ky moment e deri më 24 korrik, jam në çdo moment në dispozicion të Kuvendit të Shqipërisë, të seancës plenare, të Komisionit të Jashtëm, të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, për të bashkëpunuar dhe për të dhënë sqarime për të gjitha veprimet që unë kam përmbushur si President i Republikës në këtë proces. Gjithmonë në respekt të Kushtetutës. Në respekt të Gjykatës Kushtetuese”.


MË SHUME NGA Shqipëri