Reagimet e pozitës dhe të opozitës për marrëveshjen Serbi-Rusi
Valmira Saraçi/RTK
Marrëveshja e Serbisë me Rusinë për gazin ka ngjallur reagime të shumta në Prishtinë.
Parti të pozitës e opozitës thanë se Serbia e ka dëshmuar edhe njëherë se nuk është në krah me Perëndimin dhe me botën demokratike, që janë në mbështetje të Ukrainës, por me Rusinë, që po vazhdon prej më shumë 3 muajsh agresionin në Ukrainë.
Opozitarët kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të marrë orientim drejt gazsjellësit amerikan. Kanë vazhduar reagimet e ashpra edhe këtë të hënë në Kosovë pas marrëveshjes për gazin që Serbia arriti me Rusinë shtet i cili prej më shumë se tre muajsh po vazhdon agresionin në Ukrainë.
Në Vetëvendosje thonë se me këtë vetëm është rikonfirmuar fakti se Serbia vazhdon të ketë raporte me Federatën Ruse në kundërshtim me perëndimin.
“Nuk mund të tolerohet më tutje që në njërën anë të armatoset nga Kina e Federata Ruse e në anën tjetër të përfitojë nga fondet e BE-së. Ky rast flet më shumë për një qëndrim më strikt të Perëndimit për sa I përket detyrimit të Serbisë për të ndërprerë këtë bashkëpunim të ngushtë që shërben si rrezikim dhe destabilizim në rajon dhe jo vetëm”, deklaroi Adnan Rrustemi nga LVV.
Në PDK thanë se Qeveria e Kosovës duhet ta lexojë situatën drejtë karshi këtij bashkëpunimi të Serbisë me Rusinë, derisa Abelard Tahiri tha se Qeveria Kurti bëri gabim strategjik kur refuzoi projektin e gazsjellësit me Shtetet e Bashkuara.
“Nuk është vetëm çështje e ekonomisë së Kosovës, është edhe çështje e sigurisë, sepse një investim i tillë amerikan në vendin tonë do të nënkuptonte edhe një siguri më e madhe për vendin tonë”, deklaroi Abelard Tahiri.
Sipas AAK-së, si përgjigje ndaj marrëveshjes Serbi-Rusi, Qeveria do të duhej ta kthente me vendim projektin amerikan për gazin.
“Qeveria sot është dashur ta marrë një vendim ekzekutiv për gazsjellësin amerikan. Kjo do të ishte përgjigja më e mirë e jona karshi këtij veprimi”, tha Besnik Tahiri.























