VIDEO - AKP dorëzon AgroKosovën
Donika Sherifi / RTK
Nga administrimi i AKP-së, ndërmarrja “AgroKosova” i është rikthyer në administrim privatizuesit. Kështu është zbatuar vendimi i Gjykatës Supreme për masën e përkohshme, deri në verdiktin final.
Me asistencë të Policisë, më 3 shkurt, AKP kishte marrë nën administrim ndërmarrjen “AgroKosova” të Suharekës, me arsyetim se privatizuesi nuk e kishte përmbushur kushtet e kontratës me AKP-në.
Po presin para dyerve të ndërmarrjes ”gro Kosova Holding”. Zbatimi i aktgjykimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, ka dhënë shpresa për kthimin punë të punëtorëve të cilët nuk kishin shkel në këto hapësira për disa muaj, pasi me forcë, AKP kishte marrë nën administrim ndërmarrjen.
“Pas pothuajse katër muajsh, punëtorët e ndërmarrjes "Agro Kosova" do t'i kthehen punës, kjo pas vendiimit të Dhomave të Posaçme të Gjykatës Supreme, sipas të cilës, prona do t'i kthehet ish-blerësit”.
Drejtuesit e AKP-së kanë bërë gati procesin dorëzimit të ndërmarrjes në administrim privat. Përfaqësuesja ligjore e “AgroKosovës”, avokatja Shpresa Berisha-Rexhepi, tha se komisioni do të bëjë verifikimin e gjendjes në terren.
“Pranim-dorëzimi është bërë në mënyrë vullnetare dhe me marrëveshje, nga sot qeverisin pronarët të cilët kanë qenë para datës 31 janar 2022, çdoherë kur them data apo statistika, këto vijnë nga aktvendimi i Gjykatës Supreme, Dhoma e Posaçme në Kosovë”, ka thënë Shpresa Berisha-Rexhepi, avokate.
Zyrtarët e AKP-së nuk janë deklaruar për medie, por gjithçka kanë sqaruar nëpërmjet një njoftimi. Në aktgjykimin e shpallur më 24 maj, Supremja ka urdhëruar AKP-në ta kthejë rastin në gjendjen e mëparshme. AKP-ja ka mbetur e habitur me faktin që Gjykata ka marr vendim në favor të privatizuesit i cili, nuk e ka përmbushur vlerën e investimeve, ka shitur prona dhe ka dhënë me qira prona të ndërmarrjes, duke qenë në monitorim të AKP-së.
AKP i ka bërë thirrje Gjykatës që rastin ta shqyrtojë sa më shpejt.
Ndërmarrja “AgroKosova”, ishte privatizuar nga blerësi nga blerës “Gruppo Vinicolo Fantinel” dhe “QMI”, përmes metodës së Spin-Off special në vlerë prej 4.1 milionë euro.























