Ambasadori Hovenier, ribashkon “Ekipin e Unitetit”
BKT
Foto: Jeff Hovenier/ Twitter
Lajme

Ambasadori Hovenier, ribashkon “Ekipin e Unitetit”

Jeton Musliu / RTKlive

I ribashkon në darkë ata që para 15 vjetësh ishin bashkë në bisedime, ku përcaktohej statusi i ardhshëm i Kosovës.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, Jeff Hovenier, mblodhi në  darkë ish “Ekipin e Unitetit”.

Të gjithë ata, përfaqësonin Kosovën në bisedimet mbi statusin e ardhshëm të vendit të mbajtura në  Vjenë.

Këtë e publikoi vetë ambasadori Hovenier.

“Mirënjohës për pritjen e miqve të vjetër për një darkë ribashkimi të “Ekipit të Unitetit” të Kosovës, negociator në bisedimet e Vjenës 2006/2007.”, shkroi Hovenier në llogarinë e tij në Twitter.

Ai shkroi se diskutimi në këtë takim ishte i fokusuar në të ardhmen evropiane dhe euroatlantike.

“Ndërsa kujtuam të kaluarën, udhëheqjen e shkëlqyer të Martti Ahtisaarit dhe arritjet e shumta të Kosovës që atëherë, diskutimet tona u fokusuan në dëshirën tonë të përbashkët që Kosova të realizojë të ardhmen e saj evropiane dhe euroatlantike.”shkroi Hovenier.

Në “Grupin e Unitetit” janë shumë fytyra të njohura që ende merren me politikë dhe kanë pozita vendimmarrëse. Ndër ta kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri, pastaj ish-presidenti Fatmir Sejdiu, ish-komandanti i UÇK-së, Agim Ceku, publicisti  Veton Suroi, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, pastaj ish ministri i Punëve të Jashtme,  Skender Hyseni,publicisti dhe këshilltari i ish Presidentit Thaçi,  Blerim Shala etj.

“Ekipi i Unitetit” negocionte me një ekip të ngjashëm nga Serbia nën ndërmjetësimin nga “Grupi i Kontaktit” në të cilin bënte pjesë edhe ish presidenti i Finlandës,  Marti Ahtisaari. Në to bisedohej për statusin final të Kosovës, por ato dështuan pasi pala serbe nuk pajtohej me propozimet. Këto bisedime i paraprinë shpalljes së pavarësisë së Kosovë më 2008. 


MË SHUME NGA Lajme