Konjufca merr pjesë në darkën e shtruar nga homologu i tij grek Tassoulas
Besart Galica / RTK / Athinë
( E plotësuar) Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca po merr pjesë në darkën e shtruar nga homologu i tij Constanine An. Tassoulas, në kuadër të sesionit të 9-të Asamblesë Parlamentare SEECP.
Në këtë ngjarje po marrin pjesë edhe krerët e kuvendeve të rajonit e më gjerë.
Kryeparlamentari Konjufca është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të nëntë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP/PBEJL-së), i cili po mbahet më 1-2 qershor 2022 në Parlamentin e Greqisë, në Athinë.
Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i kryesuar nga Greqia si kryesuese në detyrë, do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme ku pritet miratimi i dokumentit kryesor, Deklaratës së përbashkët përfundimtare, nga Kryetarët e Kuvendeve të vendeve anëtare.


Konjufca në punimet e SEECP-it, nesër pritet miratimi i dokumentit kryesor
Naser Mekolli /RTKlive
Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit së Kosovës, i udhëhequr nga kryetari Glauk Konjufca është duke marrë pjesë në punimet e Sesionit të nëntë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP e SEECP/PBEJL-së), i cili po mbahet më 1-2 qershor 2022 në Parlamentin e Greqisë, në Athinë.
Sesioni Plenar ka filluar punimet sot me takimet e Komisioneve të Përgjithshme dhe Komisionit të Përhershëm Qendror.
“Gjatë takimeve të ditës së parë të punës, delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës u përfaqësua nga deputetët Fitore Pacolli Dalipi, anëtare e Komisionit të Përhershëm Qendror, Mefail Bajqinovci, anëtar i Komisionit të Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, Jeta Statovci, zëvendës anëtare e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, si dhe Ardian Gola, zëvendës anëtar i Komisionit të Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë në AP të SEECP-së”, njofton zyra për informim e Kuvendit.
Bëhet e ditur se gjatë takimeve u votuan dokumentet e Komisioneve të Përgjithshme, si dhe u vendos që Kosova të kryesojë dy komisionet e përgjithshme të Asamblesë, Komisionin e Përgjithshëm për Drejtësi, Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në Fushën e Sigurisë, dhe Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, Kërkim dhe Shkencë.
Kosova është anëtare e SEECP-së me të drejta të plota qysh nga viti 2015, mirëpo intensifikimi i marrëdhënieve dhe shtimi i rolit të Kosovës ka filluar në vitin 2019 dhe tani ky intensifikim është në rritje të vazhdueshme.
“Sesioni Plenar i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i kryesuar nga Greqia si Kryesuese në detyrë, do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së nesërme ku pritet miratimi i dokumentit kryesor, Deklaratës së përbashkët përfundimtare, nga Kryetarët e Kuvendeve të vendeve anëtare”, thuhet pos tjerash në këtë njoftim.

Kosova drejtuese e dy komisioneve brenda Asamblesë Parlamentare të Evropës
Besart Galica / RTK / Athinë
Dy komisione do të udhëhiqen nga Kosova në Procesin e Bashkëpunimt të Evropës Juglindore (SEECP). Ndërsa vendeve të BE-së do t’u bëhet thirrje që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave.
Në SEECP (Procesi i Bashkëpunimi të Evropës Juglindore) e cila po mbahet në Athinë, Greqi, deputetët siguruan që Kosova të udhëheq me dy Komisione: Komisionin për Edukim, Hulumtim dhe Shkencë dhe Komisionin për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Siguri.
“Tani po punohet që të vendoset në rezolutë thirrja e shteteve anëtare që kërkojnë nga BE liberalizimin e vizave për Kosovë. Këtu e kemi mbështetjen e plotë nga Greqia”, ka thënë Fitore Pacolli, deputete e Kuvendit të Kosovës.
Pacolli tha se prej 2019 deri me tani, Kosova ka arritur të marrë në udhëheqje, dy herë Komisionin për Edukim, Hulumtim dhe Shkencë, një herë Komisionin për ekonomi dhe një herë Komisionin për Siguri.
Nga viti 2015 që kur Kosova është bërë anëtare me të drejta të plota në SEECP, deri më 2019, Kosova nuk ka udhëhequr asnjë komision.

Konjufca në Athinë, nis vizitën nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nisi vizitën zyrtare në Greqi.
Bashkë me shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, kryekuvendari Konjufca, fillimisht u ndal në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Athinë.

Në ambienetet e reja të kësaj zyreje, ata u pritën nga Fitim Gllareva, shef i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës.
Greqia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, prandaj Konjufca tha se janë në pritje që të marrin njohjen e Kosovës nga ky shtet, në mënyrë që kjo zyrë të shndërrohet si Ambasadë.
RTKlive ka siguruar agjendën e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Sipas kësaj agjende, fillimisht Konjufca do të marrë pjesë në një mbledhje të Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, infrastrukturë dhe Energji.
Më pas ai do të ketë mbledhje edhe me Komisionin e Përgjithshëm Zhvillim Social si dhe me Komisionin e përgjithshëm dhe Drejtësi e Çështje të Brendshme dhe Bashkëpunim në fushën e Sigurisë.
Ai do të ketë edhe takime të tjera me zyrtarë të lartë të shtetit grek.
Ndryshe Greqia është njëra nga pesë shtetet e BE-së që nuk e ka njohur Kosovën.























