KPM: Në raport me fëmijët, vetëm RTK1, RTK2 e KTV, zbatuan ligjin
BKT
Foto: Seemo
Lajme

KPM: Në raport me fëmijët, vetëm RTK1, RTK2 e KTV, zbatuan ligjin

Jeton Musliu / RTKlive

Vetëm tri televizione në Kosovë kanë vepruar në përputhje me aktet nënligjore të Komisionit të Pavarur për Media, lidhur me mbrojtjen e fëmijëve.

Dy kanalet televizive të RTK-së, përkatësisht RTK1 dhe RTK2, si edhe televizioni privat KTV, janë ato që kanë transmetuar program në pajtim me dispozitat ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.

Këto janë evidentuar në raportin e KPM-së, institucion ky që merret me monitorimin dhe rregullimin e medieve në Kosovë. Bazuar në dokumentin e publikuar, mediat e tjera në vend, kanë bërë shkelje të akteve nënligjore.

Për më tepër, nga monitorimi i Ofruesit të Shërbimeve Mediale Audiovizuele (OSHMA), vëzhgimi i medieve është bërë përgjatë një jave, duke nisur me 22 maj dhe ka përfunduar me 28 maj.

I gjithë monitorimi është  bërë në mënyrë rastësore dhe u publikua me 1 qershor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.

Gjatë tryezës së diskutimit të organizuar nga Komisioni i Pavarur i Medieve, me temën “Mbrojtja e fëmijëve dhe të miturve nga përmbajtjet e papërshtatshme në media”, u diskutua lidhur me mbrojtjen e fëmijëve në raport nga përmbajtjet e dëmshme mediale.

Zëvendëskryeshefi i KPM-së, Faruk Rexhaj tha se këtë çështje e kanë përfshirë edhe Ligjin e KPM-së, ku theks të veçantë i kushtohet kësaj kategorie të fëmijëve.

Sipas tij,  bazuar ne monitorim dhe hulumtim, janë nxjerrë disa vendime ku janë shqiptuar  disa gjoba për subjektet transmetuese që kanë shkelur ligjin.

Këshilltari i ministres së Arsimit, Valdrin Dervishaj tha se me zhvillimin e teknologjisë vijnë edhe pasoja të shumta, të cilat duhet t’i luftojë shoqëria.

Profesoresha Remzie Shahin Hoxha tha se si departament i gazetarisë në UP, kanë pasur bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me organizatat dhe KPM-në në lidhje me ketë temë, se çfarë duhet të bëjnë dhe çfarë jo mediat.

 

 


MË SHUME NGA Lajme