VIDEO - Rreziku nga gjarpërinjtë
BKT
Lajme

VIDEO - Rreziku nga gjarpërinjtë

Valjeta Shala/ RTK

Tashmë kur jemi në prag të sezonit të verës, shtohet rreziku edhe nga kafshimi i gjarpërinjve, por nga Shërbimi Spitalor thonë se kanë serum të mjaftueshëm për kafshim nga zvarranikët.

Rritja e temperaturave ka shtuar edhe lëvizjet e zvarranikëve. Edhe në Parkun e Gërmisë që është shumë i frekuentuar nga qytetarët, kanë filluar të duken edhe gjarpërinjtë.

Të paktën kështu thonë qytetarët që e frekuentojnë këtë pjesë. Një nga ta i cili ka hasur në  gjarpërinj është edhe Agim Paca, por megjithatë thotë se kjo nuk duhet të shihet si shqetësim nga pushuesit.

“Ka 30-40 vite që dal në Gërmi. Mundem me thënë që deri në 20 herë kam hasur në gjarpërinj por kurrë ndonjë rrezik nuk më ka ndodh. Nesër mund të ndodh më pas ndonjë kafshim por ajo mund të jetë gabimi im por jo i gjarprit. Kur ec-hapi sytë dhe mos ec jashtë shtegut", tha Agim Paca, qytetar.

Edhe disa qytetarë të tjerë thonë që shpesh dalin në shëtitje në Gërmi, ku edhe dyshohet se mund të ketë gjarpërinj helmues.

“Kujdesi është ne nivel. Duhet të përqendrohemi në kujdes sepse mali ka gjithçka. Duhet të kemi kujdes se ku po shkel..por kënaqësi është me shëtit këtu, këtë gjelbërim, këtë natyrë”, tha Xhemajl Miftari, qytetar.

 “Normalisht natyra këtu është që ka edhe gjarpërinj por nuk e shoh se jemi të rrezikuar", tha një qytetar.

Edhe më parë në rrjetet sociale është raportuar që në këtë pjesë dyshohet për disa lloj të gjarpërinj mjaft helmues.

Lidhur me këtë, RTK në një përgjigje me shkrim nga QKUK, njofton se Shërbimi Farmaceutik i ShSKUK, ka serum të mjaftueshëm kundër helmimit të mundshëm nga gjarpërinjtë dhe furnizimi në klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme është i kënaqshëm, thuhet në njoftim.

 

 


MË SHUME NGA Lajme