100 ditë luftë në Ukrainë
BKT
Foto: CNN
Në Fokus

100 ditë luftë në Ukrainë

Jeton Musliu / RTKlive

Njëqind ditë lufte në Ukrainë kanë lënë 5.2 milionë fëmijë në nevojë për ndihmë humanitare.

Të paktën 262 fëmijë janë vrarë dhe 415 janë plagosur në sulmet që nga 24 shkurti kur filli agresioni i Rusisë mbi Ukrainë.

Sipas UNICEF-it, 3 milionë fëmijë brenda Ukrainës dhe mbi 2.2 milionë fëmijë në vendet pritëse të refugjatëve, tani kanë nevojë për ndihmë humanitare. Pothuajse dy në çdo tre fëmijë është zhvendosur nga luftimet. Lufta e Rusisë në Ukrainë ka rritur edhe numrin e personave të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se për herë të parë bota ka regjistruar mbi 100 milionë njerëz të zhvendosur.

“Numri i njerëzve që u ikin konflikteve, shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe persekutimeve, ka arritur në 100 milionë për herë të parë në histori. Kjo gjë është nxitur nga lufta në Ukrainë dhe konflikte tjera vdekjeprurëse”, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.

Në Ukrainë, tetë milionë njerëz janë zhvendosur brenda shtetit, derisa gjashtë milionë të tjerë janë larguar jashtë kufijve, ka thënë Komisionari i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi.


MË SHUME NGA Në Fokus