Mot i ndryshueshëm gjatë javës, me reshje shiu dhe intervale me diell
RTKlive
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë javës, vendi do të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me vranësira, reshje të herëpashershme shiu dhe intervale me diell.
Sipas parashikimit, java do të nisë me mot kryesisht të vranët dhe me riga shiu. Të martën pritet përmirësim i kushteve atmosferike, me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa të mërkurën do të ketë intervale me diell, por edhe mundësi për reshje lokale.
Të enjten parashikohet mot kryesisht i vranët, me reshje të herëpashershme shiu, kurse të premten do të ketë vranësira dhe intervale me diell.
Temperaturat minimale gjatë javës do të lëvizin nga 3 deri në 9 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 8 deri në 20 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga drejtimet jugperëndimore dhe juglindore, me shpejtësi të ndryshme
Sipas IHMK-së, kushtet biometeorologjike do të jenë kryesisht të ndryshueshme. Luhatjet e temperaturave dhe reshjet e herëpashershme mund të ndikojnë në gjendjen e përgjithshme të organizmit, veçanërisht te personat e ndjeshëm ndaj ndryshimeve atmosferike dhe ata me sëmundje kronike.
Megjithatë, intervalet me diell gjatë së martës dhe së premtes pritet të krijojnë kushte më të favorshme për aktivitete në natyrë. Rekomandohet veshje e përshtatshme me temperaturat, ajrosja e ambienteve dhe aktiviteti fizik në orët me mot më të favorshëm.
Sa u përket kushteve agrometeorologjike, IHMK vlerëson se ato pritet të jenë përgjithësisht të favorshme për mbirjen dhe zhvillimin fillestar të grurit të mbjellë në vjeshtë.
Reshjet e herëpashershme do të ndikojnë pozitivisht në lagështinë e tokës, duke ndihmuar zhvillimin e kulturave bujqësore, ndërsa temperaturat pritet të jenë të përshtatshme për këtë periudhë të vitit.
Megjithatë, reshjet e tepërta mund të vështirësojnë punimet bujqësore në parcela. Për këtë arsye, rekomandohet monitorimi i lagështisë së tokës dhe gjendjes së kulturave të mbjella.
Në përgjithësi, java e tretë e nëntorit pritet të sjellë kushte tipike të motit vjeshtor, me reshje të herëpashershme, temperatura relativisht të buta dhe periudha me diell.























