Krejt çfarë u tha në forumin "Globsec" në Sllovaki
Jeton Musliu / RTKlive
(E plotësuar) “Tani ose kurrë: Zhbllokimi i të ardhmes evropiane për Ballkanin perëndimor”. Kjo është tema mbi të cilën do të diskutojë sot paneli i përbërë nga katër zyrtarë të lartë shtetesh në Bratislavë të Sllovakisë.
Mes 100 ftuarish që diskutojnë tema të ndryshme në “Globsec 2022”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të paraqitet në panel me bashkë me Milo Gjukanoviq, president i Malit të Zi, Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut, Miroslav Lajçak, i dërguar special i BE-së për Ballkanin perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi dhe Stuart Peach, i dërguar i Britanisë së Madhe për Ballkanin perëndimor.
Peach: Britania e Madhe mbetet përkrahëse e Ballkanit perëndimor
Stuart Peach, i dërguar i Britanisë së Madhe për Ballkanin perëndimor, deklaroi se lufta në kontinentin e Evropës, e filluar ilegalisht nga Rusia, ka ndryshuar gjithçka.
“Gjithçka ka të bëjë me vlerat dhe ne duhet bërë gjënë e duhur në kontinentin tonë”, tha ai.
Sipas Peach, nuk mund të parashikohet se çfarë mund të ndodhë vitin që vjen, por duhet parë edhe vendet e tjera të rajonit.
“Si Bosnja e Hercegovina. Shumë gjëra në vazhdimësi janë përkeqësuar në këtë shtet dhe për këtë duhet të jemi të sinqertë”, tha diplomati britanik.
“E një fakt tjetër që rrezikon vendet në rajon është siguria energjetikë e cila është një çështje serioze”.
Peach tha se me të gjitha këto probleme e me shumë çështje të tjera, është koha për të punuar ngushtë me BE-në dhe Aleancën Veri-Atlantike, përfshirë SHBA-në.
“E kjo do të thotë bashkëpunim në të gjitha fushat si energji, transport”, tha ai.
Peach tha se është e lehtë për të gjetur gjërat që ndajnë njerëzit e që gjërat bëhen edhe më të vështira, sepse ka shumë probleme në rajon që nuk janë të reja.
“Por mendoj se për shkak të situatës në vitin 2022, është një thirrje për t’u zgjuar e për bashkëpunim mbi vlerat dhe Qeveria britanike vazhdon të mbështesë këtë bashkëpunim Euro-Atlantik, për të gjithë rajonin”.
Ai tha se të gjitha vendet dhe me të gjitha vendet duhet punuar për ta arritur këtë.

Kurti në Bratislavë, tregon përse e kundërshton “Ballkanin e Hapur”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si pjesëmarrës në këtë panel, u pyet për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, e ku sipas drejtuesit të debatit, palët nuk po arrijnë të gjejnë marrëveshje as për targa të automjeteve e lëre më për çështje të tjera.
Kurti tha e personalisht është i përkushtuar për dialog dhe bisedime me Serbinë për të gjitha çështjet e hapura, por që sipas tij, në qendër kanë njohjen reciproke .
Kryeministri Kurti rikujtoi se 23 vjet më parë, 19 vende në atë kohë të NATO-s, bombarduan një vend në Evropë për të ndaluar gjenocidin e Millosheviqit.
“E nga ajo kohë, unë këtu e shoh problemin, në mos dënimin e krimeve të kryera”, tha Kurti.
Ai u shpreh se është e vërtetë se bisedimet vazhdojnë në Bruksel.
“Flasim për targat, çështjet e energjisë sepse serbët nuk paguajnë rrymën shkaku i strukturave paralele, e jo të qytetarëve, e kemi të zhdukur nga lufta”, tha ai.
Sipas kryeministrit Kurti, Kosova është tregim suksesi.
“Ne jemi falënderues ndaj vendeve demokratike. Deklaruam pavarësinë në vitin 2008, kemi vendimin e GJND-së”, tha kryeministri.
Ai rikujtoi se në vitin 2012, mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës përfundoi dhe vendet u dakorduan se vendi është demokratik.
“Nuk mund të kemi kthim prapa. Ne besojmë se BE-ja është fati ynë kurse Evropa është kontinenti ynë”.
Ai rikujtoi se Kosova ka shenduar dyfishim të rritjes ekonomike kurse eksportet janë rritur në 83 për qind.
“Kemi shënuar përparim në lirinë e medias dhe në perceptimin e indeksit të luftës kundër korrupsionit e tani presim përgjigje pozitive për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.
Kryeministri Kurti rikujtoi se Kosova ka dënuar agresionin e Rusisë dhe ka vendosur sanksione e gjithashtu ka pranuar gazetarë ukrainas duke i ndihmuar për të punuar në Prishtinë.
Kryeministri Albin Kurti foli edhe për nismën për “Ballkanin e Hapur”.
“Nuk mendoj se jemi gati të kemi ndonjë fuqi nga veri-lindja ose lindja sepse ne jemi të lidhur ngushtë me ‘Procesin e Berlinit’, sidomos tani me rifreskimin e tij që i ka bërë kancelari Scholz”.
Kurti tha se nuk beson në zgjidhjet që ofrojnë liderët e Ballkanit perëndimor.
“Kur fituam zgjedhjet ne për herë të parë, Shqipëria e Maqedonia e Veriut në vitin 2019, nuk filluan bisedimet për anëtarësim në BE. Prandaj erdhi kjo ide nga Serbia, që e shoh më shumë si përpjekje e saj për ta shfrytëzuar këtë frustrim”.
Ai tha se disa nga pasojat që janë sot, janë për shkak të favorizimit të stabilitetit politik mbi reformën ekonomike.
I pyetur nëse shikon ndonjë përplasje qasjesh mes qëndrimit amerikan dhe atij evropian, kryeministri Kurti tha ka pasur administrata më përpara amerikane, që kanë tentuar të gjejnë zgjidhje të shpejta.
“Megjithatë, ne kemi nevojë për ndihmë nga SHBA e BE për rend e ligj, luftë kundër krimit e korrupsionit, në mënyrë që vendet tona të jenë më të fuqishme ekonomikisht. Ne kemi nevojë për NATO-n tani, jo më pak sesa që kishim shekullin e kaluar”.

Gjukanoviq: Rusia përdorë zbrazëtirat që la BE në Ballkan
Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq deklaroi në këtë panel se shteti që ai drejton, mund të jetë mes vendeve të para që do t’i bashkohet BE-së, bazuar në kapitujt që po hapë dhe po diskuton.
“Por problem kryesor është BE-ja ka shumë pak entuziazëm për integrim të Ballkanit perëndimor”, tha Gjuklanoviq.
Sipas tij, kjo reflekton edhe më shumë në rënien e interesimit dhe entuziazmin për integrim në vendet e Ballkanit perëndimor.
“Ata na akuzojnë ne, dhe janë palët e treta që fitojnë në këtë rast. Këto palë përdorin këtë hapësirë”.
Gjukanoviq u shpreh se Rusia nuk synon të destabilizojë Ballkanin perëndimor, por përmes tij, synon ta destabilizojë BE-në.
“Rusia do që ta ndalojë Ukrainën të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE”.
Ai tha se si rezultat I vëmendjes më të vogël të BE-së për Ballkanin perëndimor, atëherë ka edhe luftë hibride të Rusisë në rajon.
“Prandaj kemi edhe përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi”, rikujtoi ai.
Sa për iniciativën për “Ballkanin e Hapur”, dhe mosmarrëveshjet mes tij dhe kryeministrit Dritan Abazoviq, presidenti malazez dhe se vendi i tij është demokratik.
“Mund të kemi qëndrime të ndryshme mes presidentit, qeverisë e Kuvendit, por ajo që nuk ndryshon është integrimi në BE”.

Kovaçevski: 17 vjet vend kandidat për anëtarësim në BE. Ja pse?
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, doli për bllokimin vendit të tij në procesin e integrimeve.
Ai u pyet se si ndihet si kryeministër që drejton vendin i cili ka marrë premtime false viteve të fundit për integrim në BE. Për më tepër, si një shtet që ka statusin e vendit kandidat më së gjati për integrim, madje edhe më gjatë sesa Turqia.
“Kur e shikoni nga perspektiva jonë, kemi 17 vjet si vend kandidat. Integrimi supozohej të ishte në baza të meritës”, tha Kovaçevski.
“Kemi pjesën më të madhe të ligjeve në harmoni me ato të BE-së”, tha Kovaçevski.
Sipas tij, nëse shikohet Maqedonia e veriut dhe krahasohet me ato që kanë filluar bisedimet për integrim, atëherë rezulton se në shumë aspekte, Shkupi zyrtar qëndron më mirë.
“Ky proces është bërë politik, nga ai teknik që do të duhej të ishte. Kemi mbërritur që një vend ka bllokuar një vend tjetër”, tha kreu i qeverisë maqedonase.
“Për Maqedoninë e Veriut, i gjithë procesi i integrimeve është qartësisht çështje politike”.
“Megjithatë, tani kemi një moment të ri politik”.

Lajçak beson se lufta në Ukrainë është fat për Ballkanin perëndimor
Përfaqësuesi special i BE-së për Ballkanin perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, sllovaku Miroslav Lajçak, iu dha fjala të parit në këtë panel.
Ai tha se integrimi i Ballkanit perëndimor ka qenë në agjendë të BE-së për një kohë të gjatë, por megjithatë, viteve të fundit konfirmoi se ky inetersim ka pësuar rënie.
Ai tha se ka qenë një konsensus në BE se Ballkani perëndimor është mirë dhe se paraprakisht duhet rregulluar disa çështje brenda unionit.
“Prandaj edhe interesimi për integrim nga vetë vendet e Ballkanit perëndimor ka rënë në pesë vitet e fundit”, tha Lajçak.
Lajçak tha se megjithatë, tani situate ka ndryshuar dhe lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, ka ndryshuar gjithçka.
“E gjithë ajo tragjedi në Ukrainë është lajm i mirë për Ballkanin perëndimor sepse të gjithë e kuptojnë se integrimi nuk ka të bëjë me çështje teknike, pasi rajoni janë duhet të bëhet pjesë e BE-së”, tha Lajçak.
“Çka dua të kërkoj nga partnerët në Ballkan është të na ndihmojnë që edhe t’i ndihmojmë është integrimi”.
























