Klina përplot me deponi ilegale mbeturinash (Video)
Ahmet Maholli/RTK
Sot ku po shënohet dita e mjedisit, ju kujtojmë se hedhja e mbeturinave përgjatë rrugëve dhe në vendet e gjelbëruara është bërë problem prej vitesh edhe për banorët e Klinës.
Ata kërkojnë veprime konkrete nga komuna, sepse nga këto mbeturina janë krijuar deponi ilegale, duke ndikuar në degradimin e ambientit.
Zyrtarët komunalë premtojnë se do t’i pastrojnë ato zona duke paralajmëruar gjoba për ata që hedhin mbeturina vend e pa vend.
Hedhja e mbeturinave vend e pavend, duke krijuar deponi ilegale në komunën e Klinës po shkakton shqetësime te banorët. Kjo ngase këtu hidhen mbeturina të llojllojshme prej atyre të amvisërisë e deri të ato të materialit ndërtimor.
Ata po ashtu thonë se është vështirë kalohet në këtë rrugë nga kundërmimi.
“Ne disa herë e kemi ngritë zërin dhe kemi bisedu me komunë dhe na kanë thënë e rregullojmë këtë po se kanë rregullu. Kjo është tmerr se këtu është vend amalor me ajër të pastër dhe kjo është tmerr dhe tmerr I komunës sonë”, tha Lekë Frroku .
Pavarësisht pyjeve të gjelbëruara në fshatin Dollc të Klinës, rruga që çon në plantacionin e vishnjave prej 20 vjetësh është shndërruar në deponi ilegale mbeturinash. Por, nuk është vetëm kjo deponi. Një e tillë është edhe në fshatin Gremnik afër lumit Drini i Bardhë.
Banorët thonë se mbeturinat këtu hidhen gjatë natës, derisa kërkojnë nga komuna që nëpërmjet inspektoratit të ndërmarrin masa për t’i gjobitur ata që e degradojnë ambientin.
“Për neve banorëve të fshatit këtu është mjaftë shqetësuese këtu që po shihet, kjo deponi e egër është prej pasluftës kanë hedhur rrënojat edhe firmat e ndryshme kanë hedhur. Ne disa herë e kemi ngritë këtë çështje, komuna e ka bërë një intervenim para tri vitesh. Kjo deponi nuk është veç nga fshati Gremnik, por edhe të fshatrave të tjerë. Prej pasluftës kanë fillu me i hedh mbeturinat edhe të ndërtimit edhe të gjerave tjera. Të vendosen do tabela që e ndalojnë hedhjen dhe duhet pak ma shumë inspektorati komunal të merret me këto probleme”, deklaroi Demë Kalludra përfaqësues i fshatit.
Ndërkaq, zyrtarët komunalë të Klinës thonë se në këtë komunë nga janari i vitit të kaluar janë hequr 15 deponi ilegale, por jo edhe këto. Zyrtarja për informim Vlora Tafili deklaron se kanë ndarë një buxhet për t’i pastruar edhe këto deponi të mbeturinave
“Komuna e Klinës deri më tash ka pasur vështirësi buxhetore, mirëpo ato deponi që I pëermendi ju, do të arrijnë të pastrohen në fund të këtij viti ose në fillim të vitit 2023, për arsye se drejtoria për shërbime publike ka ndarë buxhet të veçantë për ato dhe kjo është falë mbështetjes së grantit për ambient të pastër nga organizata gjermane GIZ”, deklaroi ajo.
Tafili ka thënë se të gjitha deponitë ilegale, do monitorohen nga inspektorati, ndërsa deri më tash ky dikaster ka shqiptuar 15 gjoba për qytetarët që kanë hedhur mbeturinat ilegalisht më atë zonë, dekaroi Vlora Tafili, zëdhënëse e komunës së Klinës.























