Aliti: Me përkrahjen e ‘Dardanëve’ do të mposhtim Greqinë
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Fidan Aliti është i vetëdijshëm se ‘Dardanët’ i pret një sfidë e vështirë me Greqinë, por ai thotë se Kombëtarja jonë hynë për fitore në duel me grekët.
Kombëtarja e Kosovës pas fitores së arritur të enjten si mysafire kundër Qipros, pasditen e së premtes ka vazhduar me stërvitje në Kampin Nacional në Hajvali.
Në stërvitjen e sotme përzgjedhësi Alain Giresse ka vendosur që për pjesën e futbollistëve të cilët luajtën të ketë një stërvitje rigjeneruse, teksa pjesa tjetër ka zhvilluar stërvitje normale.
Pas stërvitjes se sontme, Aliti ka deklaruar se të gjithë në ekip janë të vetëdijshëm se ndeshja me Greqinë do të jetë shumë më e vështirë, por ka shprehur shpresën se edhe paraqitja e Dardanëve do të jetë dukshëm më e mirë.
“E dimë edhe ne që pjesa e parë nuk ishte qysh e kemi pritur, por Qipro ka qenë kompakte dhe ka luajtur mirë në defanzivë dhe kjo na ka vështirësuar punët. Por, në pjesën e dytë e kemi kallxuar kualitetin tonë dhe për ne ka qenë e rëndësishme të marrim tri pikët”, tha ai.
“E dimë se ndeshja me Greqinë do të jetë krejt ndryshe. Greqia është një kombëtare shumë e fortë dhe me cilësi individuale, por ne edhe në këtë ndeshje shkojmë për fitore dhe shpresojmë se me tifozët tanë ‘Dardanët’ do t’ia arrijmë këtij qëllimi. Normalisht se na bëhet qejfi kur e kemi mbështetjen e madhe të tifozëve sepse ajo na jep një fuqi në stadiumin tonë. Edhe në ndeshjet që i kemi luajtur me kombëtaret e forta gjithmonë me mbështetjen e ‘Dardanëve’ kemi pasur suksese dhe shpresojmë se kështu do të jetë edhe të dielën”, ka thënë Aliti.
Ndeshja Kosova-Greqia luhet të dielën mbrëma në ‘Fadil Vokrri’.























