Fazliji: Ndjenjë speciale kur luajmë në ‘Fadil Vokrri`
Fatmir Bytyqi /RTKlive
Sikurse Fidan Aliti, edhe Betim Fazliji mendon se sfida me Greqinë nuk do të jetë aspak e lehtë, por ai kërkon angazhim maksimal nga bashkëlojtarët e tij në mënyrë që Kombëtarja jonë të dal me fitore në duel me grekët.
Kombëtarja e Kosovës pas fitores së arritur të enjten si mysafire kundër Qipros, pasditen e së premtes ka vazhduar me stërvitje në Kampin Nacional në Hajvali.
Pas stërvitjes se sontme, Fazliji tha se ka qenë shumë e rëndësishme fitorja me Qipron, por ai beson se edhe në duel me Greqinë, skuadra jonë do të dal fituese. Ai thekson se në duel me grekët kërkohet angazhim më i madh dhe lojë më e mirë.
“E rëndësishme ka qenë të fitojmë ndeshjen e parë kundër Qipros. E dimë se në pjesën e parë nuk kemi arritur të luajmë siç dimë ne të luajmë si kombëtare dhe çfarë potenciali kemi, por në pjesën e dytë e kemi kallxuar fytyrën tonë të vërtetë, ku kemi hyrë me më shumë vetëbesim dhe më shumë guxim. Brenda 20 minutave të parë kemi pasur shumë raste dhe mirë që i dhamë golat. Edhe pse loja s’ka qenë e mirë, rezultatin e morëm”, tha ai.
“Duhet ta dijmë se kundër Greqisë ka me qenë tjetër lojë sepse ata kanë edhe si ekip janë më të fortë se Qipro, por edhe kanë individë cilësor, por do të jetë një ndeshje me një atmosferë tepër të mirë dhe ne e nisim lojën për t’i mbajtur pikët e plota. Në vendin tonë duhet të luajmë me shumë guxim dhe siç e kemi përfunduar ndeshjen me Qipron në pjesën e dytë, ashtu duhet të hyjmë në lojë kundër grekëve. Gjithmonë është ndjenjë speciale kur luajmë në ‘Fadil Vokrri’ sepse ‘Dardanët’ na mbështesin në mënyrë fantastike. Atmosfera ka me qenë super dhe shumë i gëzohem kësaj ndeshje”, theksoi Fazliji.
Kombëtarja e Kosovës nesër në orën 17:30 do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në ‘Fadil Vokrri’, derisa paraprakisht përzgjedhësi Alain Giresse dhe njëri prej futbollistëve do të paraqiten në konferencë për media.























