Kombëtarja shqiptare fluturon në Islandë
BKT
Sport

Kombëtarja shqiptare fluturon në Islandë

RTSH

Kombëtarja kuqezi ka fluturuar për në Islandë ku të hënën do të debutojë në edicionin e ri të Nations League kundër vendasve të fortë.

Atmosferë pozitive mes kuqezinjve, të grumbulluar në Durrës që në 27 maj, edhe për shkak të rikuperimeve të rëndësishme në seancën e fundit stërvitore.

Edoardo Reja ka kryer pjesën më të mëdhe të përgatitjeve për ndeshjen dhe tani mbetet të përcaktojë edhe detajet e fundit, për të cilat ka dy seanca stërvitore në dispozicion.

Pas akomodimit në hotel, në Rekjavik kuqezinjtë kanë të programuar një seancë stërvitore në orën 20.00, që do të jetë vetëm 15 minuta e hapur për mediat, e ku tekniku italian pret përgjigje sidomos nga lojtarë që kanë kaluar problem shëndetësore si Asllani, Roshi e Gjasula, në varësi të të cilave Reja mund të mendojë edhe ndonjë ndryshim formacioni.

Në programin e kuqezinjve të dielën është konferenca zyrtare për shtyp e trajnerit dhe kapitenit, në orën 19:30, përpara seancës së fundit stërvitore në Reikjavik, që kuqezinjtë do të zhvillojnë në stadiumin ku do të luhet ndeshja me Islandën.

Kjo do t’i japë fund edhe dilemave të fundit të Rejas, gjithnjë nëse ka të tilla, për emrat që do të zbresin në fushë dhe interpretimet taktike për të mposhtur islandezët, në sfidën e parë të Nations League që do të luhet në orën 20:45, në Reikjavik e para në tre impenjimet e qershorit për kombëtaren tonë, që pasohet nga përplasja në shtëpi me Izraelin në 10 qershor po për Nations League dhe miqësoren me Estoninë tre ditë më pas, gjithashtu në Arenën Kombëtare.