Krejt çfarë ndodhi në seancën ku Begaj u zgjodh president i Shqipërisë
Denion Ndrenika/ RTK/ Tiranë
Me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim, Bajram Begaj u zgjodh president i ri i Shqipërisë.
Në seancën plenare të Kuvendit prej orës 18:00 të kësaj të shtune me 4 qershor, morën pjesë 103 deputetë dhe 83 prej tyre votuan.
Procesi eci normalisht dhe kundërshtitë ishin politike mbi ligjshmërinë e kandidatit dhe dekretimin nga jashtë vendit të presidentit Ilir Meta, për ta liruar Begajn nga detyra ushtarake si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës.
Pas votimit kryeministri Edi Rama i cili është edhe kryetar i Partisë Socialiste në pushtet, vlerësoi procesin si dhe presidentin e zgjedhur.
“Besoj se kemi arritur qartësisht objektivin që kemi pasur qysh në krye të herës”, tha Rama.
“I kemi dhënë Shqipërisë një President normal, një figurë të pakontestueshme në aspektin e integritetit të humanizmit dhe patjetër edhe të përkushtimit për vendin dhe për njerëzit”.
16 deputetë demokratë opozitarë u larguan nga salla.
Opozita vërejti gjithashtu se Begaj ka punë me drejtësinë për çështje të pronave të ushtrisë.
55-vjeçari Begaj me profesion mjek, e merr detyrën nga presidenti aktual Ilir Meta, më 24 korrik.
Begaj është i katërti president me të kaluar ushtarake, pas Ahmet Zogut, Alfred Moisiut dhe të ndjerit Bujar Nishani.
Presidenti Begaj është i teti pas rrëzimit të diktaturës komuniste në vitet 1990-1991.























