Shpërndahen protestuesit që protestonin para Kuvendit
BKT
Foto: Valjeta Shala/ RTK
Lajme

Shpërndahen protestuesit që protestonin para Kuvendit

Valjeta Shala/ RTK

(E plotësuar, ora 13:15) Protestuesit kanë filluar të shpërndahen dhe protesta tashmë ka përfunduar.

Policia sqaron se nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve

Naser Mekolli /RTKlive

(E plotësuar 12:15) Sot, rreth orës 10:00 para Kuvendit të Kosovës ka filluar të mbahet protesta e pa lajmëruar në polici, e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), njofton Policia e Kosovës. Kjo sipas policisë, bëhet për të shprehur pakënaqësitë e tyre dhe sipas për ta kundërshtuar ndryshimin për heqjen e kategorisë në lidhje me pagën minimale.

“Sipas detyrës zyrtare, Policia e Kosovës është kujdesur për mbarëvajtjen e protestës, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe ofrimin e sigurisë për protestuesit dhe për objektet zyrtare”, thuhet në një sqarim që bënë Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media.

Në sqarim thuhet se përderisa protesta ishte duke u mbajtur, disa nga protestuesit kanë tentuar me forcë të depërtojnë ti dëmtojnë dyert e Parlamentit për të hyrë brenda si dhe kanë hedhur mjete të ndryshme të forta, lloje të gazit/tymit në drejtim të zyrtarëve të PK-së.

“Policia e Kosovës, me qëllim të informimit të drejt të opinionit publik, informon dhe njëherit demanton shkrimet e publikuara në portale ku thuhet se kinse Policia ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, se në asnjë rast apo rrethanë nuk ka përdorur gaz lotsjellës ndaj protestuesve, por dyshohet se lloji i gazit/tymit, është hedhur nga persona/protestues brenda masës”, thuhet në komunikatë e zyrës për informim të PK-së.

Policia thotë se, bazuar në informacionet e deritanishme, si pasojë e sulmit dhe hedhjes së mjeteve të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë, dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilëve iu është ofruar tretmani mjekësor.

Po ashtu, bëhet e ditur se sipas informacioneve të deritanishme një qytetarë ka kërkuar ndihmë mjekësore si pasoj e gazit/tymit të hedhur.

Protestuesit sërish provojnë të hyjnë brenda Kuvendit

(E plotësuar ora: 11:30)  Protestuesit sërish kanë tentuar të hyjnë brenda objektit të Kuvendit të Kosovës.

Në afërsi të Kuvendit janë shtuar edhe automjetet policore.

 

Veteranët hyjnë në oborrin e Kuvendit (Foto)

(E plotësuar ora: 10:42)  Veteranët e luftës së UÇK-së kanë hyrë në oborrin e Kuvendit të Kosovës, në përpjekje për të hyrë brenda objektit të Kuvendit.

Para hyrjes së Kuvendit janë të vendosura Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës.

Qalaj: Ligji për pagën minimale të mos votohet ​

Kimete Kasumi/ RTKlive

Krahas protestës, Rashit Qalaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Kosovës, ka mbajtur konferencë për medie. Ai tha se për Partinë Demokratike të Kosovës ky ligj është i papranueshëm.

“Mendoj që është e papranueshme për Partinë Demokratike të Kosovës dhe, si i tillë, ne këtë ligj nuk do ta votojmë. Ju e keni parë që edhe në diskutimet e seancës së kaluar partitë e tjera opozitare, LDK-ja dhe AAK-ja, e kanë kundërshtuar këtë projektligj në këtë formë të tillë dhe kanë kërkuar që këto kategori, të vërbrit, veteranët e UÇK-së të trajtohen si duhet në këtë projektligj” tha ai. Sipas tij, PDK-ja kërkon që të mos votohet fare ky projektigj dhe të tërhiqet.

Nis protesta e veteranëve (Foto)

(E plotësuar 10:15) Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së protestojnë kundër diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve.

Veteranët e luftës së UÇK-së protestojnë para Kuvendit të Kosovës në shenjë proteste të mos përfshirjes së tyre në ngritjen e pagës minimale.

Veteranët protestojnë sot

Kimete Kasumi/ RTKlive

Për pagën minimale sot protestojnë Organizatat e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo protestë sipas ud. të kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, është thirrur në shenjë pakënaqësie për heqjen e kësaj kategorie nga lidhja me pagën minimale.

"Do të dalim që të protestojmë të hënën. Do të fillojmë të mblidhemi prej orës 10:00, për ta kundërshtuar ndryshimin që do ta bëj Kuvendi i Kosovës të këtij ligji", ka thënë ai dje në një konferencë për medie.

Sipas tij, ligji i vetëm që është në fuqi është ai që lidhet me pagën minimale.

 


MË SHUME NGA Lajme