Ushtria në Sazan po lufton me flakët e zjarreve që kanë përfshirë ishullin
BKT
Shqipëri

Ushtria në Sazan po lufton me flakët e zjarreve që kanë përfshirë ishullin

Denion Ndrenika/ RTK

Thuasje 70 efektivë të ushtrisë janë në operacionin e shuarjes së zjarreve që përfshinë ishullin e Sazanit në Vlorë në detin Jon, në jug të Shqipërisë.

Ministria e Mbrojtjes tha se zjarret u rishfaqën të dielën në zonën jugore të ishullit të Sazanit, pasi u vunë nën kontroll nga e shtuna në mbrëmje.

Ushtarakët janë të Forcës Detare, Forcës Tokësore, Qendrës së Vëzhgimit Detar, punonjës të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe Zjarrfikësit e Vlorës.

Shqetësim përbëjnë municionet e pashpërthyera të ushtrisë, pasi ishulli strategjik i Sazanit ka qenë për dhjetëra vjet i fortifikuar dhe me depo armatimi.

Operacionet prej thuajse 30 orësh zhvillohen në terren të thyer e të vështirë dhe me bimësi të dendur nga trupat e ushtrisë që zëvendësohen kohëpaskohe ndërsa luftonin me flakët.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se u kufizua përhapja e zjarrit që dyshohet se ka qenë i qëllimshëm.

"Në këto momente duket se janë izoluar disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit në Sazan. Trupat e Forcave të Armatosura po punojnë me përkushtim në kushtet kur ndërhyrja në vatrat e mbetura është e vështirë për shkak të relievit dhe të natës"-tha ai pas mesnatës.

Sipas ministrit, sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave të Armatosura dhe të gjithë sistemit të Mbrojtjes Civile meritojnë mirënjohje.

Ai shtoi se i vlerësonte të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por shtoi se "mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës".

Ministria theksoi se bashkë me partnerët dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile janë ndërtuar marrëdhënie për të aktivizuar mbështetjen me mjete ajrore shtesë, gjatë stinës së verës, pa humbur kohë nëse do të çmohet e nevojshme nga ekspertët.

Pos, "sigurisht prioritet ka mbrojtja e jetës së banorëve dhe më pas e florës e faunës si edhe trashëgimia jonë natyrore e historike"-tha minstri Peleshi.

Zoti Peleshi bëri thirrje për më shumë vëmendje dhe angazhim në kushtet e pritshmërisë për një verë të nxehtë sipas Institutit të Gjeoshkencës.

Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë. Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera.

Ishulli i Sazanit në hyrje të Gjirit të Vlorës ka sipërfaqe 5.7 kilometër katrorë.


MË SHUME NGA Shqipëri