Sot nis ‘Java e Krenarisë’
Shqipe Gashi/RTKlive
Sot nis ‘Java e Krenarisë’, hapja zyrtare e së cilës bëhet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, në mbështetje të komunitetit LGBTI.
Brenda ekzekutivit ekziston edhe Zyra për Qeverisje të Mirë, të Drejta të Njeriut dhe Mundësi të Barabarta e kundër Diskriminimit.
Me këtë rast, fjalim do të mbajnë presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Pos figurave politike në Kosovë, adresime do të kenë edhe disa prej ambasadorëve të vendeve perëndimore.
E, lidhur me aktivitetet të cilat do të mbahen gjatë javës së krenarisë, do të na njoftojë Lule Demolli, drejtoreshë e “Qendrës për Studime Gjinore”.
“Sot do të fillojë java e krenarisë nga data 6 deri me 9 qershor, ku do të jemi së bashku të gjitha organizatat, që i organizojnë këto aktivitete. Gjithashtu do të jenë edhe personat që i takojnë komunitetit LGBTI. Qëllimi është që të krijohet një vizibilitet me një dukshmëri më të madhe që të pranohen më shumë dhe t’i trajtojmë edhe temat dhe çështjet e personave LGBTI-së në Kosovë, që të japim mesazhin që mos ndodhë diskriminimi", sqaroi Demolli.
Ajo, më tej, shtoi se hapja do të bëhet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ku prezentë do të jenë ambasadori i SHBA-së, ambasadori i BE-së, pastaj do të jetë drejtori i organizatës "CSGD", që merret me personat e LGBTI-së me të drejta e tyre dhe shumë të tjerë, ky event mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.
Demolli, tutje, sqaroi se kjo ngjarje do të nisë me sloganin “Edhe në shtet edhe në Familje”, që, sipas saj, do të thotë se ky slogan pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar e personave LGBTI si në shtet, ashtu edhe në familje.
“Pra mesazhi është që këta persona të pranohen si në shtet, si në familje, me të drejta të barabarta në të gjitha aspektet e jetës” shtoi ajo.























