Meta falënderon Bundestagun gjerman për ndihmën që i ofron Shqipërisë
Naser Mekolli /RTKlive.com
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta sot ka takuar deputetin, Peter Beyer, njëkohësisht kryeraportues për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun gjerman.
Meta, në një postim në Facebook, njofton se ka falënderuar atë për angazhimin e madh dhe të sinqertë që ka patur Grupi Parlamentar i CDU/CSU, si dhe në tërësi Bundestagu gjerman për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
“Përkushtimi i tyre për të mbështetur demokracinë e vërtetë dhe shtetin e së drejtës në Shqipëri si element përcaktues në procesin tonë të anëtarësimit në BE meriton vlerësim të veçantë, duke i shërbyer plotësisht qëllimit për të arritur transformimin e vendit drejt standardeve evropiane”, shkruan Meta.
Njëherit presidenti Meta thekson rëndësinë që ka marrja e një vendimi sa më parë për nisjen e negociatave të anëtarësimit, “me rëndësi strategjike për politikën e zgjerimit dhe për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”.
























