Shtimja mes politizimit dhe zhvillimit
BKT
Foto:RTK
Lajme

Shtimja mes politizimit dhe zhvillimit

Ahmet Maholli/RTK

Opozita dhe disa qytetarë akuzojnë kryetarin Qemajl Aliu, se nuk ka filluar ta realizojë asnjë nga 100 premtimet e dhëna gjatë fushatës, derisa, sipas tyre, ai më shumë po merret me politikë sesa me komunë. Vetë kryetari thotë se problemet e akumuluara për 23 vjet nuk mund të zgjidhen për 6 muaj.

Opozita në Shtime po e akuzon qeverisjen komunale për neglizhencë dhe mungesë vizioni. Thotë se kryetari Qemajl i ka bërë më shumë se 100 premtime gjatë fushatës zgjedhore, ndërsa nuk e ka realizuar thuajse asnjë premtim.

E kryetari Aliu thotë se stagnimi 23 vjeçar ka shkatërruar perspektivën e këtij qyteti, ndërsa për pak muaj Shtimja do të jetë krejt ndryshe me dy projekte të rëndësishme.

“Jam shumë krenar për këto projekte, unaza e qytetit që është një projekt 400 mijë euro, financuar nga Ministria e Financave, do të fillojë brenda muajit. Tregu i qytetit i cili nuk ka ekzistuar ku bujqit dhe tregtarët janë të detyruartë tregtojnë në kushte mesjetare në baltë do të bëhen brenda këtij muajit”, tha Aliu

“Dy çerdhe që shumë shpejt pritet të fillojë ndërtimi i tyre, njëra në fshatin Muzeqinë, dhe  tjetra në Godanc, e që jam shumë krenar dhe është zotim yni, diçka që për 23 vjet  nuk ka ndodhë e ne brenda viti të parë, po fillojmë ndërtimin e dy çerdheve. 100 euro për lehona, rritjen e subvencioneve në sport, bursat”, shtoi Aliu.

Por, opozita  po mendon ndryshe.

“Në fushën e shëndetësisë kemi zero projekte të realizuara deri më të tash, në fushën e arsimit kemi vetëm stagnim dhe ngecje, nuk ka ndonjë projekt i cili ka filluar, ka tendenca por s’ka projekte të filluara”, thotë Rrahman Jakupi nga PDK.

 “Në fushën e projekteve kapitale të vitit të kaluar që kanë qenë të nënshkruara kontratat dhe këtë vit nuk kemi ndonjë projekt apo risi që mund të ketë ndodhur në komunën e Shtimes nga qeverisja komunale”, tha Jakupi.

Edhe qytetarët thonë se kryetari duhet të punojë më shumë dhe t’i lërë anash inatet politike.

“Secili njeri i jep premtimet, por a ka me i zbatua, a ka me punua në të ardhmen, nuk jam shumë i sigurt për ta bërë një lëvdatë a diçka, por presim edhe ne me i ba realitet atë që e ka thënë”.

“Ne nuk jemi të kënaqur aspak, sepse asnjë projekt që e ka prezantuar kryetari Aliu, nuk e ka realizuar, veç ka bërë hakmarrje politike, i ka larguar njerëzit prej pune, i ka shti të vetët dhe pazaret politike që i ka bërë në Ferizaj”.

“Më së pari këtë, lumin duhet me pastrua sepse kush e sheh këtë është turp për Shtimen, por, pa krah nuk fluturohet, e Shtimja krah nuk ka”.

Sa u përket mbi 100 premtimeve që ka bërë në fushatë dhe që janë të evidentuara edhe nga Instituti GAP, Aliu ka thënë se gjatë mandatit të tij do të realizohen edhe më shumë sesa ka premtuar.


MË SHUME NGA Lajme