Tirana dhe Athina ripërtërijnë marrëveshjen për Emergjencat Civile
Denion Ndrenika /RTK
Ministrja e Mbrojtjes në Tiranë njoftoi se Shqipëria dhe Greqia janë të gatshme të ripërtërijnë marrëveshjen për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e Emergjencave Civile.
Lajmi u dha pasi ministri Niko Peleshi, i cili ndodhet në Athinë për vizitë dyditore, u takua me zëvendësministrin e Mbrojtjes Civile dhe Emergjencat Klimaterike të Greqisë, Vangjel Turnas (Evangelos Tournas).
Vizita e zotit Peleshi kryhet në kohën kur të dy vendet, Shqipëria dhe Greqia kanë filluar të përballen me problematika të fenomeneve natyrore si zjarret.
Ndërkaq, shqiëpria është e vendosur për të rritur dhe modernizuar kapacitetet reaguese, raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
Zoti Peleshi falënderoi Greqinë për ndihmën e dhënë ditët e fundit përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE në shuarjen e zjarrit në ishullin strategjik të Sazanit në Gjirin e Vlorës.
Ministri gjithashtu çmoi mbështetjen e dhënë nga Greqia për tërmetin e 26 nëntorit 2019, për pandeminë e Koronavirusit dhe shuarjen e zjarreve në Shqipëria verën e kaluar.
Gjithashtu minstri Peleshi shpalosi synimet e Ministrisë së Mbrojtjes për të rritur kapacitetet në fushën e Emergjencave Civile si dhe shprehu vlerësimin e tij për ndihmesën e Greqisë.























