Raportuesi i CDU-së, Bajer jep mesazhe për vizitën në Shqipëri
Denion Ndrenika/RTK
Peter Bajer (Peter Beyer) tha se vizitën e tij në Tiranë e mbështeti në dy çështje thelbësore që lidhen me eurointegrimin dhe me opozitën demokratike.
Zoti Bajer është raportues i posaçëm për Balkanin dhe Shqipërinë në Unionin Kristian Demokrat gjerman, CDU.
Raportuesi Bajer u takua me kryeministrin Edi Rama përpara se ky të nisej në Ohër, në samitin e “Ballkanit të Hapur”, ministren e Jashtme, Olta Xhaçka dhe Kryetaren e Komisionit të Kuvendit për Integrimin Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike opozitare të njohur në Regjistrin e Partive në Gjykatë dhe ambasadoren amerikane Juri (Yuri) Kim.
Peter Bajer i CDU-së i paraqiti rezultatet e vizitës së tij në Tiranë me një postim në rrjetet shoqërorë.
Në tri ditët e vizitës zoti Bajer tha se shprehu vendosmërinë me mesazhe që i quajti “të fortë” për politikën e Shqipërisë, shkruan korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.
Sipas raportuesit Bajer, eurointegrimi është domosdoshmëri për Shqipërinë përkundër vërejtjes ndaj Bullgarisë që e pengon tërthorazi pasi vendos veton për shtetin tjetër kandidat, Maqedoninë Veriore.
“Shqipëria nuk duhet të jetë viktimë e bllokadës së turpshme të Bullgarisë”-tha raportuesi Peter Bajer.
Zoti Bajer shkruajti se duhet forcim i pranisë së opozitës, por jo me personat “e padëshiruar”, që lidhet me kryetarin e zgjedhur Sali Berisha të Partisë Demokratike të njohur me një tjetër vendim gjyqësor për Kuvendet Kombëtarë.
“Çdo lloj bashkëpunimi me një “persona non grata” është i ndaluar; një pozicion i zakonshëm, i pakundërshtueshëm që ne e përfaqësojmë rreptësisht në unison me miqtë tanë në SHBA”-tha ai.
Deklarimi i Peter Bajerit në rrjetet shoqërorë:
“Kam qenë në Tiranë/Shqipëri për tre ditë për bisedime me nivele të larta politike. Fokusi ishte në dy tema:
Eurointegrimi i Shqipërisë:
Shqipëria nuk duhet të jetë viktimë e bllokadës së turpshme të Bullgarisë. Shqipëria tani duhet të ftohet në konferencën e radhës ndërqeveritare si hapi tjetër konkret në procesin e anëtarësimit në BE.
Partia Demokratike
Demokracia parlamentare e Shqipërisë ka nevojë për një opozitë të bashkuar dhe të fortë. Axhendat personale të individëve nuk duhet të luajnë një rol jashtë përgjegjësisë për vendin. Është e qartë se çdo lloj bashkëpunimi me një “persona non grata” si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar është i ndaluar që në fillim. Ky është një pozicion i zakonshëm, i pakundërshtueshëm që ne e përfaqësojmë rreptësisht në unison me miqtë tanë në SHBA.























