Papa Françesku priti në Selinë e Shejtë, kryekuvendaren Nikolla
BKT
Foto: Denion Ndrenika
Shqipëri

Papa Françesku priti në Selinë e Shejtë, kryekuvendaren Nikolla

Denon Ndrenika RTK

Drejtuesit e Kuvendit të Shqipërisë, kryetraja Lindita Nikolla nga Partia Socialiste qeveritare dhe nënkryetari Agron Gjekmarkaj nga opozita demokratike u takuan në Selinë e Shenjtë në Vatikan me Papa Françeskun.

Kuvendi njoftoi se zonja Nikolla dhe nënkryetari Gjekmarkaj shoqëroheshin nga drejtuesja e Misionit të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Dodaj.

Në njoftimin e Kuvendi theksohet se Papa Françesku çmoi vlerat e popullit shqiptar dhe shtoi se ndjek me simpati arritjet dhe përparimin e Shqipërisë dhe popujt që punojnë shumë vlerësohen për përpjekjet e tyre.

Gjithashtu Papa Françesku, siç njofton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika, duke vlerësuar përpjekjet për nxitjen e pjesëmarrjes së grave dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, theksoi se gratë janë të vendosura dhe të sakrificës dhe shoqëria duhet të bëjë më shumë për ato.

Zonja Nikolla i parashtoi Papa Françeskut një tablo të gjendjes në Shqipëri dhe "shprehu mirënjohjen  e thellë të besimtarëve katolikë dhe të gjithë qytetarëve  për përkushtimin e Atit të Shenjtë  ndaj Shqipërisë e shqiptarëve".

“Shqipëria është një vend i vëllazërisë fetare. Bashkëjetesa harmonike dhe respekti midis besimeve kanë një trashëgimi historike. Ne, shqiptarët, nuk kemi njohur asnjëherë konflikte fetare dhe ky tipar universal është një krenari kombëtare e jona. Marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë shkojnë përtej diplomacisë dhe bashkëpunimit fetar. Ato janë marrëdhënie të fuqishme shpirtërore dhe një frymëzim i madh për besimtarët e qytetarët. Pritja nga Ati i Shenjtë para pak kohësh e drejtuesve të komunitetit mysliman është një vlerësim dhe inkurajim për tolerancën dhe respektin fetar në Shqipëri”-tha kryekuvendarja Nikolla.

Ndihmesa e Vatikanit nëpërmjet nismave e projekteve kulturore, arsimore, shëndetësore, sociale e humane si edhe për restaurimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare në Shqipëri, u çmua gjithashtu prej zonjës Nikolla sikurse të besimtarëve dhe Kishës Katolike për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 Nëntorit 2019, pandemisë së Koronavirusit dhe kultivimin dhe mbrojtjen e vlerave të dashurisë, solidaritetit e humanizmit.

Selia e Shenjtë më herët emëroi Monsignor Arjan Dodaj si Kryeipeshkëv i Kryedioqezës së Tiranë-Durrësit.

Kryetarja Nikolla dhe zoti Gjekmarkaj u takuan edhe me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Kardinalin Pietro Parolin.

Bashkëbiseduesit vlerësuan ecuroinë shumë të mirë të punëve midis Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, në 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike.


MË SHUME NGA Shqipëri