Kurti mori pjesë në lansimin e shërbimeve të reja elektronike e-Kosova
BKT
Lajme

Kurti mori pjesë në lansimin e shërbimeve të reja elektronike e-Kosova

Naser Mekolli /RTKlive.com

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, morën pjesë në lansimin e shërbimeve të reja elektronike në portalin e-Kosova, që përfshijnë certifikatën e lindjes, ekstraktin e lindjes, certifikatën e martesës dhe certifikatën e vdekjes, si dhe shërbimin për vazhdimin e regjistrimit të veturës.

Bëhet e ditur se në fjalën e rastit, kryeministri Kurti vlerësoi rëndësinë e digjitalizimit të shërbimeve të cilat do të krijojnë lehtësira për qytetarët e veçanërisht për mërgatën.

“Këto shifra tregojnë se portali e-Kosova si dritare qendrore për ofrimin e shërbimeve qeveritare është duke u pranuar mirë nga qytetarët tanë. Ne do të vazhdojmë me digjitalizimin e shërbimeve që ka për synim lehtësimin e jetës së tyre. Shërbimet elektronike janë veçanërisht të rëndësishme për mërgatën tonë, ajo ka nevojë për mundësinë e qasjes në shërbime qeveritare edhe nga largësia, tha kryeministri Kurti”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Më tej, kryeministri Kurti tha se me transformimin digjital gjithëpërfshirës synohet avancimi, jo vetëm të administratës publike, por edhe i sistemit arsimor, sektorit të shëndetësisë, sistemit të drejtësisë dhe të gjitha fushave të tjera të qeverisjes.

“Po hedhim bazat strategjike të digjitalizimit në të gjithë sektorët dhe jemi të përkushtuar të kemi qasje të unifikuar, të bashkërenduar dhe të harmonizuar ndaj digjitalizimit”, tha ai.

Ndërkaq, bëhet e ditur se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se qeveria e Kosovës, respektivisht MPB, në kuadër të angazhimeve e objektivave të saj kryesore ka digjitalizimin e shërbimeve të administratës publike, duke synuar shërbime më efikase, më kualitative, të qasshme, e më të lira për qytetarët dhe bizneset.


MË SHUME NGA Lajme