Berisha kujton vizitën e Bushit, për Kosovën e pavarur e Shqipërinë në NATO
Shqipëri

Berisha kujton vizitën e Bushit, për Kosovën e pavarur e Shqipërinë në NATO

Denon Ndrenika RTK

Kryetari i Partisë Demokratike opozitare Sali Berisha kujtoi vizitën e presidentit amerikan Xhorxh Bush i Riu në Tiranë në 10 qershor 2007.

Në një postim në rrjetin shoqëror "Facebook", zoti Berisha shkruan se vizita e presidentit Bush 15 vjet më parë ishte çasti më kulmor në historinë shqiptaro-amerikane.

Postimin zoti Berisha e nis me fjalinë "sot 15-vjetori i vizitës historike të Presidentit George W. Bush në Shqipëri!", raporton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

"Miq, kjo vizitë shënon momentin më kulmor në historinë 100-vjeçare të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane"-shkruan ai.

Deputeti Berisha përzgjodhi që postimin në " Facebook " ta shoqëronte me një pjesë të videos nga konferenca e përbashkët për gazetarë kur presidenti Bush thotë që ishte koha për pavarësinë e Kosovës dhe Shqipërinë në NATO.

"Në këtë vizitë miku i madh i kombit shqiptar George W. Bush deklaroi: “The time is now” tani është kohë për Pavarësinë e Kosovës dhe Shqipëria në NATO"-shkruan Berisha.

Ai vijon më tej se të dy këto arritje me mbështetjen e presidentit Bush dhe kombit të tij të madh u bënë realitet.

"Ndaj le t'i shprehim sot të dashur miq mirënjohjen tonë më të thellë dhe t'i urojmë jetë të gjatë mikut të madh të shqiptarëve Presidenti George W. Bush"-përfundon mesazhi i zoti Berisha, i cili ishte kryeministër atëbotë.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa

MË SHUME NGA Shqipëri