Rreth 5 milionë euro pasuri të ndryshme kriminale sekuestrohen në Elbasan
Foto: Denion Ndrenika
Shqipëri

Rreth 5 milionë euro pasuri të ndryshme kriminale sekuestrohen në Elbasan

Denon Ndrenika RTK

Një operacion u zhvillua në Elbasan nga Drejtoria Vendore e Policisë dhe drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale.

Në kuadër të hetimeve pasurore për persona të dyshuar si anëtarë të grupeve kriminale, për pasuri dhe asete që dyshohen se i kanë burimet nga veprimtaria kriminale, është finalizuar operacioni policor i koduar “Illegal assets” dhe është bërë sekuestrimi i pasurive në emër të shtetasve Gentian  Sharra dhe Mustafa Sharra.   

Autoritetet thanë se hetimi dhe operacioni u mbështetën në materialin procedural të referuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan në Prokurorinë e Rrethit Elbasan, gjatë vitit 2021 dhe në vijim.

Drejtori i Policisë Elbasan, Ardian Çipa, kryprokurori i Elbasanit, Kreshnik Ajazi dhe prokurori i çështjes Xhelian Seferi dolën në konferencë për gazetarë për finalizimin e operacionit të koduar “Illegal assets”, njofton korrespondenti i RTK-së Denion Ndrenika.

Shtetasi Gentian  Sharra 48 vjeç, banues në Elbasan, ka qenë i dënuar më parë, me aktivitet kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, i dyshuar për grabitjen e një sasie të madhe parash në Rinas, si dhe i arrestuar në kuadër të operacionit policor “Golden bullet”. 

 Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të veprimeve hetimore, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 09.06.2022, ka caktuar masën e sigurimit pasuror “Sekuestro”, për pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të babait të tij, shtetasit Mustafa Sharra.

Sipas të dhënave zyrtare, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u sekuestruan këto pasuri:

-1 vilë luksoze në lagjen Katund i Ri, Elbasan, biznes fason dhe tokë arë;

-Truall dhe ndërtesë, me sipërfaqe 120 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra;

-Tokë arë me sipërfaqe 15680 m2  dhe ndërtesë me sipërfaqe 119.8 m2,  në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të shtetasve Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;

-Tokë arë me sipërfaqe 3533  m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra;

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 4170 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra;

-Pasuri tokë arë  me sipërfaqe 4050 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra.

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 3533 m2, truall me sipërfaqe 208.1 m2  dhe ndërtesë, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Gentian Sharra.

-Pasuri tokë arë me sipërfaqe 394 m2, në lagjen Katund i Ri, Elbasan, në pronësi të Mustafa Sharra dhe Gentian Sharra.

Gjithashtu janë sekuestruar 4 automjete në pronësi të shtetasit Gentian Sharra dhe të familjareve të tij.

Ndërkaq, vijon puna për evidentimin e të gjitha pasurive dhe për dokumentimin e plotë ligjor të tyre, në zbatim të ligjit Nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, vijon punën intensive për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e çdo pasurie që  rrjedh nga veprimtaria kriminale.

Në këtë kuadër u zhvilluan edhe kontrollet e pasdites së djeshme, nga forcat policore.


Bast-Trade
AlbiMall
Eurokoha
Vjosa