Ilir Meta takon presidentin e zgjedhur Bajram Begaj
/rtsh.al/
Presidenti Ilir Meta është takuar sot me presidentin pasardhës, Bajram Begaj të zgjedhur më 4 qershor në raundin e katërt me 78 vota pro.
Presidenti Meta ka ndarë disa foto në rrjetin social Facebook, ndërsa më herët, pak pas votimit të Begajt në Kuvend, e ka uruar atë për detyrën e re, duke dekretuar lirimin e tij nga detyra e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Amratosura. "Kënaqësi të prisja sot Presidentin e zgjedhur, z.Bajram Begaj dhe t'i uroja sërish suksese në detyrën e lartë, që e pret në interes të vendit dhe të gjithë qytetarëve", tha Meta.
Bajram Begaj është zgjedhur President i Republikës së Shqipërisë me 78 vota pro dhe 4 kundër dhe 1 abstenim në raundin e katërt të votimit. Begaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, do të jetë presidenti i 8-të i vendit që pas shpalljes së pluralizmit.
Ndërkohë pak pas zgjedhjes si President i ri, Bajram Begaj zhvilloi një takim me ish-presidentët, Alfred Moisu, Bamir Topin dhe Rexhep Mejdani. Takimi në fjalë u mbajt në Pallatin e Brigadave, ndërkohë ish-presidentët u shoqëruan nga makinat e Gardës së Republikës.